Mali i Zi sot mbahen zgjedhjet parlamentare
Në Mal të Zi do të mbahen sot zgjedhjet parlamentare....

Në Mal të Zi do të mbahen sot zgjedhjet parlamentare, në të cilat të drejtë vote kanë 542.468 votues që do të përcaktohen midis 15 listave zgjedhore.
Këto janë zgjedhjet e treta në ciklin zgjedhor brenda 9 muajve në Mal të Zi, në të cilat Partia Demokratike e Socialistave hyn pa liderin e saj, Millo Gjukanoviq, i cili pas tri dekadash është tërhequr si lider i partisë.
Në zgjedhjet e sotme për të parën herë ka hyrë në garë lëvizja “Evropa Tani”, e cila sipas hulumtimeve ka përkrahjen më të madhe të qytetarëve. Sipas sondazheve të bëra, e dyta për nga numri i përkrahësve është “Partia Demokratike e Socialistave”.
Lëvizjen “Evropa Tani” e kanë krijuar ish-ministrat e qeverisë së Zdravko Krivokapiq, Millojko Spajiq dhe presidenti aktual, Jakov Millatoviq.
Në këto zgjedhje marrin pjesë edhe dy koalicione të partive shqiptare: Forumi Shqiptar me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin me përvojë Genci Nimanbegu.
Nga këto zgjedhje dalin 81 deputetë, dhe shumica e re parlamentare do të zgjedhë kryeministrin dhe qeverinë e re të Malit të Zi.
