Kurti: Kosova partnere e SHBA-ve dhe BE-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatim të marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe të 18 marsit në Ohër.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë se Kosova i qëndron pas politikave dhe vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Por rruga për shtensionim në veri, sipas tij, duhet të nisë me largimin e bandave kriminale nga veriu i Kosovës.
“Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike e besimit në një të ardhme pa luftë bazuar në drejtësinë e barazinë e njerëzve. Në këtë drejtim qeveria jonë është aleat i pakompromis i BE-së dhe ShBA-ve. Rruga përpara për deskalim të situatës në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale para objekteve komunale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve të komunave. Në përputhje me situatën e sigurisë, me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale”. – tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Escobar zbut qëndrimin e Hill, Lurti partner i vështirë por partner i SHBA-ve
Ndërkohë Emisari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka Zbutur qëndrimin e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill rreth Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,tha se “nuk di nëse mund ta konsiderojë ShBA Kurtin partner”.
Escobar thotë se “Nganjëherë Kurti është partnerë i zahmetshëm, por gjithsesi partner”. “Më duhet këtë ta bëj të qartë – zoti Kurti është partner i yni. Nganjëherë është partner i zahmetshëm, por gjithsesi se partner. Kosova është partneri i ynë. Serbia është partneri ynë. Andaj, edhe në të ardhmen, ne duam të përdorim marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, dhe marrëdhëniet në përmirësim që kemi me Serbinë, për të gjetur mënyra ndërsjelltazi të pranueshme dhe përfituese në mënyrë që të dyja të mund të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Por, jo vetëm kaq, por që të dyja të hapin dyert e integrimit për tërë rajonin. Kështu që ne duam të përdorim marrëdhëniet tona të mira për të ndihmuar në ndërmjetësim në të ardhmen”, ka thënë Gabriel Escobar në një intervistë për Institutin për Politika dhe Ekonomi të Evropës Juglindore. (Gyltene Sinani, TVM2)
