MASH, 20 bursa për studimin e gjuhës së vjetër turke
Bursat do të mbulojnë harxhimet e regjistrimit, pagesë mujore në para dhe koston e biletës së avionit...

Vazhdon të jetë i hapur konkursi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për 20 bursa të plota për qytetarët e Maqedonisë të cilët do të regjistrohen në studime deri¬universitare ose postdiplomike, për studimin e gjuhës së vjetër turke në vitin akademik 2015/2016, në ndonjë nga universitet botërore që kanë katedra për studime otomane. Bursat do të mbulojnë harxhimet e regjistrimit, pagesë mujore në para dhe koston e biletës së avionit.
Ato janë iniciuar nga nevoja reale e Maqedonisë për kuadër profesional, i cili do të punojë në përkthimin dhe interpretimin e një numri të madh të dokumenteve të vjetra dhe dorëshkrimeve të rralla të cilat gjenden në arkivat e Maqedonisë, por edhe në arkivat e huaja, në biblioteka, si dhe në librat e pronësisë, ndërkaq janë të shkruara në gjuhën e vjetër turke. Kandidatët për bursa për studimet deri¬universitare për studimin e gjuhës së vjetër turke duhet të kenë përfunduar arsimin e mesëm katërvjeçar, të jenë pranuar në studimet deri¬universitare të ciklit të parë, për herë të parë në vitin e parë në vitin akademik 2015/2016 në ndonjë nga universitetet ku studiohet kjo gjuhë dhe të mos jenë shfrytëzues të një burse nga ofrues të tjerë. Përparësi në marrjen e bursave kanë kandidatët të cilët kanë studiuar në ndonjë program studimor nga dega e historisë.
Informata më të hollësishme në lidhje me dokumentet e nevojshme, kushtet dhe kriteret e aplikimit janë dhënë në konkursin i cili është postuar në internet-portalin e specializuar për ndarjen e bursave nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në www.stipendii.mon.gov.mk. Afati i fundit për aplikim, respektivisht për dorëzim të dokumentacionit të nevojshëm në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Rr. “Shën Cirili dhe Metodi”, nr. 54, 1000, Shkup (me shënim: bursa për studime akademike të ciklit të parë ose të dytë jashtë vendit), është deri më 31 gusht 2015. Në lidhje me aplikacionet do të vendos komisioni i posaçëm i themeluar enkas për këtë, ku për vendimin e marrë kandidatët do të njoftohen jo më vonë se 15 ditë pas mbarimit të konkursit.
Kandidatët të cilët do të fitojnë bursa për studime deri¬universitare ose postdiplomike për studimin e gjuhës së vjetër turke do të nënshkruajnë marrëveshje me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, me të cilën ata janë të detyruar të punojnë të paktën 10 vite në Republikën e Maqedonisë pas mbarimit të studimeve, për çka shteti u garanton vende pune adekuate në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë, Institutin e Historisë Kombëtare, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ose institucione të tjera adekuate.
