Botë

Kosovë, shënohet 24 vjetori i çlirimit

12.06.2023 11:50

Kosova sot shënon 24-vjetorin e Ditës e Lirisë apo çlirimit të Kosovës, përkatësisht largimin e trupave serbe...

Kosova sot shënon 24-vjetorin e Ditës e Lirisë apo çlirimit të Kosovës, përkatësisht largimin e trupave serbe dhe futjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s, që erdhi pas fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Fushata bombarduese, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova. Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë tranzitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ajo po ashtu siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO për ta siguruar paqen në Kosovë, njëherit edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veri-atlantike. 
 
Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë. Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre të mbi 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Në luftën e viteve 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe më shumë se 6.000 të pagjetur. Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.