Maqedoni
Rasti “Tamara”, japin dorëheqje Mehazi dhe Panarxhieva
24.02.2015 15:21
Drejtuesit e Fondit për Sigurim Shëndetësor, Maja Panarxhieva-Zmejkova dhe Xhemali Mehazi, dhanë dorëheqje për arsye morale nga funksionet e tyre...

Për rastin e 10 vjeçares, Tamara Dimovska, që vdiq duke pritur lejen nga FSSH-ja për t’u kuruar jashtë shtetit, drejtuesit e FSSH-së insistojnë se të gjitha procedurat janë respektuar, por koha që u desh për të plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm duket se nuk ishte e mjaftueshme për Tamarën.
“Rasti i Tamarës më ka tronditur tej mase si person dhe si prind. Dorëheqja ime motivohet nga arsye humane, pavarësisht se gjatë kryerjes së funksionit tim për rastin konkret dhe për çdo rast tjetër të ngjashëm, kam bërë gjithçka që më është mundësuar në kuadër të ligjit dhe të autorizimeve të mia. Për mua dhe bashkëpunëtorët e mi nuk ka pasur rëndësi për asnjë çast emri dhe përkatësia etnike dhe fetare e rasteve, ndaj dhe jam angazhuar përherë për gjetjen e zgjidhjeve të cilat qytetarëve tanë ua kanë shpëtuar jetën”- deklaroi drejtori në dorëheqje i FSSH-së, Xhemali Mehazi.
Kanë vazhduar ndërkohë protestat para Ministrisë së Shëndetësisë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Ata thonë se për shkak të neglizhencës së institucioneve që ai i udhëheq, ndërroi jetë një vogëlushe e cila kishte nevojën e këtyre institucioneve shtetërore që të shërohej jashtë Maqedonisë, por kjo e drejtë iu refuzua disa herë.
Protestuesit me parulla “Vrasës”, “Dorëheqje për Todorovin”, “Termini juaj erdhi” “Spitalet janë shndërruar në vrasës të njerëzve” kërkojnë që ministri Todorov të marrë përgjegjësinë morale për këtë rast të rëndë.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
