Botë
Dita e çlirimit të Kosovës, Prishtina shpreh mirënjohje për 24 vjet liri
12.06.2023 14:19
Kosova shënon 24-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s...

Kosova shënon 24-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, vendosën kurora me lule nëpër disa lokacione në Prishtinë gjatë kësaj dite, duke nderuar figurat politike, aktivistët dhe ushtarët e rënë të NATO-s në Kosovë.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në shtetndërtimin e vendit.
“Jemi mirënjohës dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës për vizionarët e shtetit, për presidentin Ibrahim Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosen këto themele; për komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë; si dhe mirënjohje të përjetshme për të gjithë miqtë tanë, të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Konjufca, duke përkujtuar sakrificat e popullit të Kosovës për liri, tha se çlirimi i Kosovës është “shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm mes faktorit vendor dhe bashkësisë ndërkombëtare”.
“Kjo [çlirimi i Kosovës] nuk do të mund të arrihej pa miqtë e çmuar ndërkombëtarë, pa shtetet që e ndihmuan çlirimin e Kosovës, por kjo ndodhi edhe pikërisht se kauza jonë ishte shumë e drejtë. Ne krejt çfarë po kërkonim ishte ta hiqnim okupimin shekullor serb në Kosovë.”, - theksoi kryetari i Kuvendit të RK-së, Glauk Konjufca.
Edhe kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për të gjithë ata që sakrifikuan për shtetin e Kosovës, teksa tha se "sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës".
"Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë ndaj popullit tonë, gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës.", - u shpreh kryministri i Kosovës, Albin Kurti.
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.
Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës Veri-Atlantike.
Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.
Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999. Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s, që erdhën në Kosovë.
Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t'i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.
SEDAT SELIMI
