Botë
Lajçak “raport” për vizitën në Kosovë e Serbi: Pritëm më shumë, tensionet ende të larta
12.06.2023 14:59
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd...

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd do t’u raportojë vendeve të BE-së. Siç është shprehur në faqen e tij në facebook, Lajçak ka pritur më shumë rezultat nga takimet me palët, ndërkaq tensionet, sipas tij janë ende të larta.
“Jam kthyer në Bruksel për të informuar BE-në dhe shtetet anëtare mbi gjetjet e mia dhe hapat e ardhshëm. Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të mundësuar dhe mbështetur një zgjidhje të qëndrueshme politike.” ,- ka shkruar Lajçak.
Më pas ka shkruar për takimet që i ka zhvilluar në Prishtinë me përfaqësuesit institucional dhe ata të opozitës.
“Përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe ShBA-të kanë kërkuar nga palët, thirrje për një zgjidhje politike: deeskalim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në dialog për normalizim.”,- ka shkruar Lajçak.
Emisari i BE-së ka raportuar edhe për takimin që ka pasur me Listën Serbe. Duke i quajtur “përfaqësues të palës së prekur”, Lajçak shkruan se atyre u ka shpjeguar rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhjet e reja. Takimet me Vuçiqin, ndërkohë Lajçak i ka quajtur të gjata dhe jo të lehta. Ndërkohë, gjatë ditës, grupe të vogla serbësh janë mbledhur sërish përpara ndërtesave të komunave në Leposavic, Zveçan dhe Zubin Potok, për të protestuar kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
