Maqedoni
Mali i Gazi Babës, ambient rekreativ për banorët e Çairit
24.02.2015 15:52
Parku i malit të Gazi Babës, i cili i takon Komunës së Çairit, do të rregullohet, pastrohet dhe ndriçohet...

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot shpalosën investimet që do të bëhen në këtë pjesë. Меxhiti tha se ky investim do ta bëjë parkun edhe më atraktiv, aty do të punësohen edhe roje për të ruajtur dhe mirëmbajtur parkun.
“Ky park, tani e tutje do të jetë në funksion fillimisht të qytetarëve të Gazi Babës, por edhe qytetarëve tjerë të Çairit. Mendoj që do të jetë një pjesë atraktive e Çairit me këto funksione dhe investime të reja, po ashtu siç përmendi z.Trajanovski, po sjellim edhe një ligj të përbashkët, ku do ngrihet niveli i malit të Gazi Babës, të emërohet “Mali i natyrës”, që nënkupton një kategori më të lartë, që të njëjtën kohë nënkupton që do ketë edhe një regjim më strikt rreth ruajtjes së këtij mali”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, theksoi se kjo pjesë e parkut të malit të Gazi Babës, e cila i takon Komunës së Çairit, do të ndërtohet njësoj si është ndërtuar pjesa tjetër.
“Do të ndërtohet shteg për vrapim. Ky shteg për vrapim do jetë me gjatësi 1100 metra, do të ngrihen fontana, lodra për fëmijë, do të mbillen fidanë dhe drunj, do të ndërtohet shteg me gurë dhe rërë, do të krijohet ambient i volitshëm për rekreacion, ndërsa e gjithë kostoja do të kapë vlerën e rreth 3-4 milionë denarëve pa ndriçimin”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Trajanovski dhe Mexhiti theksuan rëndësinë e malit të Gazi Babës për Shkupin. Ata u bënë apel qytetarëve që të kujdesen për mjedisin jetësor dhe të mirëmbajnë atë që do të rregullohet.
ERSAN PAJAZITI
