Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: Të zbatojmë marrëveshjen
12.06.2023 15:59
Propozimet për ndryshimet kushtetuese “mollë sherri” mes kryeministrit Kovaçevski dhe opozitares VMRO-DPMNE....

Propozimet për ndryshimet kushtetuese “mollë sherri” mes kryeministrit Kovaçevski dhe opozitares VMRO-DPMNE. Mohimi apo dalja nga korniza e asaj që është marrë vesh do të jetë zhgënjim i madh për qytetarët, por edhe komunitetit ndërkombëtar, vlerëson kryeministri, Kovaçevski. Ai i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj, Hristijan Mickoski, të respektojnë marrëveshjen e 7 qershorit.
“Demantimi ose dalja nga korniza për të cilën u morëm vesh dhe u tha në press konferencë, mendoj se do të ishte një zhgënjim i madh, si për qytetarët, ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Mendoj se tani duhet të shkohet drejt implementimit të asaj që u tha publikisht e jo në interpretimin se kush çka ka dashur të thotë, sepse ajo që u tha në realitet është ajo që u diskutua.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
VMRO: Prolongim të ndryshimeve kushtetuese
VMRO-DPMNE fton kryeministrin Kovaçevski dhe LSDM-në të deklarohen se cilin propozim të VMRO-DPMNE-së e pranojnë.
“Me prolongimin e aplikimit të ndryshimeve kushtetuese, Bullgaria nga bllokues potencial do të bëhet një aktor aktiv për përshpejtimin e integrimit tonë. Në një situatë të tillë të efektit të vonuar të ndryshimeve kushtetuese, çdo frenim shtesë i Maqedonisë nga ana e Bullgarisë do të rrezikojë për ta që kur mos të faturohen ndryshimet kushtetuese.”, - theksoi Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: VMRO të propozojë anëtar në GP
Edhe social-demokratët me ftesë ndaj VMRO-DPMNE-së që të propozojë përfaqësues në grupin e punues për përgatitjen e amendamenteve kushtetuese.
“Kushtet për prolongimin e aplikimit të amendamenteve kushtetuese deri në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare janë pranuar. BDI ka një qëndrim të qartë të konfirmuar para organeve të kësaj partie dhe është e gatshme të lëshojë rrugë në interes të së ardhmes evropiane. Gjuha maqedonase dhe identiteti janë të mbrojtura, por presim që shumë shpejt të ndodhë një garanci shtesë. Prandaj, ne besojmë se ka një bazë të mirë dhe duhet të vazhdojë dialogu në rrugën e zbatimit të ndryshimeve kushtetuese.”, - u shpreh zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Taravari: ASh do të shtyjë përpara heqjen e 20%-it
Kryetari i ASh-së, Taravari, me vlerësim se kushti i opozitës maqedonase për amendamente kushtetuese është i parealizueshëm, sepse është në kundërshtim me kornizën negociuese. Ai thotë se tani është koha edhe për heqjen e 20%-it nga Kushtetuta.
“Vlerësoj se kushti i opozitës maqedonase për ndryshime kushtetuese suspenzive është thjesht e parealizueshme, sepse ai bie ndesh me kornizën negociuese të BE-së. Ato duhet të hynë në fuqi më së voni deri në momentin e mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare. Ne si ASh do të vazhdojmë të shtyjmë përpara kërkesën për heqjen e 20%-it, që mohon identitetin shqiptar dhe futjen e gjuhës shqipe në Kushtetutën e vendit.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
Për ndryshimet kushtetuese është diskutuar edhe në takimin mes Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga dhe ambasadores së Kroacisë, Nives Tiganj. Të dy bashkëbiseduesit kanë konstatuar nevojitet një konsensus i gjerë për rrugën e reformave evropiane në mes të gjitha partive politike, si dhe nga Qeveria edhe nga opozita.
SANIJE DURAKU
