Maqedoni
“Përgjimi”, Zaev paraqitet në prokurori si palë e dëmtuar
24.02.2015 16:22
Kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i është përgjigjur ftesës së prokurorisë për të dëshmuar rreth parashtresës së LSDM-së, ku Zaev është palë e dëmtuar nga përgjimi i paligjshëm...

Edhe pse LSDM-ja publikisht ka shprehur dyshime në pavarësinë e sistemit gjyqësor, me parashtrimin e padive kundër kreut të DSK-së, Sasho Mijallkovit, shefit të Drejtorisë së pestë, Goran Gruevskit dhe N.N. të punësuar në DSK, dëshiron që të lë gjurmë.
Ai theksoi se imazhin e sistemit gjyqësor e kanë dëmtuar individë. Brenda institucioneve punojnë shumë njerëz të ndershëm, që janë nën shtypje të vazhdueshme, nënvizon Zaev.
“Ende kemi shpresë se do të veprojnë ekskluzivisht sipas Ligjit dhe Kushtetutës së RM-së. As më shumë, as më pak. Dhe, me këtë të përcjellin porosi të fuqishme në shoqëri, të shkruajnë histori dhe këtë ne do ta përshëndesim publikisht. Shpresojmë se besimi do të rikthehet paralelisht me të vërtetën për Maqedoninë. Besimi në institucionet e drejtësisë do të rikthehet paralelisht me të vërtetën në Republikën e Maqedonisë”- tha Zoran Zaev nga LSDM.
Ndërkaq, sa i përket rastit “Puç”, Zaev thotë se prokuroria ende nuk e ka ftuar dhe as që ka filluar ndonjë procedurë.
“Nuk jam ftuar as unë, as dikush nga njerëzit që i njoh e që janë në paraburgim. E di që ata do të vendosin kur do të kenë dëshmi të mjaftueshme. Atje nuk ka as aktpadi, as ndonjë procedurë tjetër”- tha Zaev.
Pushteti dhe opozita kanë ngritur procedura penale kundër njëra-tjetrës.
Opozita akuzon pushtetin dhe padit zyrtarë të lartë shtetërorë për përgjim të paligjshëm, ndërkaq pushteti, në rastin “Puç” akuzon Zaevin se në bashkëpunim me shërbime të huaja, përmes kërcënimeve dëshiron të rrëzojë pushtetin.
SHPËTIM NUREDINI
