Maqedoni
Liritë dhe të drejtat e njeriut, grupet e margjinalizuara me ankesa të shumta në Kuvend
12.06.2023 16:40
Një varg ankesash të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë u adresuan në Kuvend, sa i takon të drejtave dhe lirive të njeriut....

Një varg ankesash të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë u adresuan në Kuvend, sa i takon të drejtave dhe lirive të njeriut. Personat me aftësi të kufizuara u ankuan se janë të keqpërdorur duke u konsideruar si makineri votuese. Ankesa pati edhe nga komuniteti rom.
“Unë jam i shurdhër, po mbush të pesëdhjetat dhe nuk gëzoj kurrfarë të drejtash. Edhe përkundër kërkesave, na është thënë se pas zgjedhjeve të gjitha kërkesat do të përmbushen, megjithatë ato kërkesa nga partitë hidhen në plehra. Kemi probleme të përditshmërisë të pazgjidhura.”, - deklaroi anëtari i Këshillit ekzekutiv për të shurdhër, Vasil Markov.
“Për 30 vite, ne si komunitet rom, po luftojmë të jemi të barabartë, por fatkeqësisht nuk kemi fuqi politike. Kemi lagje të palegalizuara rome, në një gjendje shumë të rëndë, pa pasur qasje në ujë, rrymë, ndërkohë që po jetojmë në shekullin 21.”, - theksoi deputetja e komunitetit rom, Latifa Shikovska.
Mosveprimi institucional i Kuvendit për identifikimin e përgjegjësisë u pohua nga kryetari i Komisionit anketues për liritë dhe të drejtat e njeriut, Halil Snopçe.
“Jemi larg, shumë larg ushtrimit të rolit që e kemi dhe që na e garanton Kushtetuta. Kemi pasur tendencë për të diskutuar për dy rastet më flagrante që mendohet se janë prekur të drejtat dhe liritë e njeriut vitet e fundit, fatkeqësia me autobusin me “Besa Trans” në Bullgari ku humbën jetën 45 persona dhe djegia e Spitalit Modular në Tetovë, ku humbën jetën 16 veta, po përsëri ishte pa sukses. Nuk kemi të drejtë të shqyrtojmë asnjë ankesë të qytetarëve.”, - theksoi kryetari i Komisionit anketues për liritë dhe të drejtat e njeriut, Halil Snopçe.
Përfaqësuesit e OKB-së kërkuan aktivizim të Kuvendit dhe bashkëpunim me OKB-në dhe shtetet tjera në thithjen e përvojave pozitive.
“Parlamenti është institucioni që integron dhe jep kontribut në avancimin e të drejtave të njeriut, ka rolin qendror ku me debat dhe vendime të marra, jepet zgjidhje për sfida aktuale.”, - u shpreh koordinatorja e përhershme e OKB-së në RMV, Rosana Duxhak.
“Parlamenti është zëri i njerëzve, fuqia që të miratohen ligjet. Me rëndësi është të forcohet dhe të përmirësohet bashkëpunimi me zyrat tona, të cilat do t’iu japin këshilla dhe shumë mbështetje.”, - deklaroi koordinatorja e RMV-së në OKB, Sepide Mohaxhir.
Sipas kryeparlamentarit Xhaferi, roli i Parlamentit pritet të përmirësohet me kyçjen aktive në Kombet e Bashkuara në përpilimin dhe prezantimin e raporteve kombëtare.
“Ngjarja e sotme paraqet hapin e parë në përfshirjen aktive në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në proces, i cili duhet të jetë objektiv, transparent, gjithëpërfshirës dhe inkluziv me përfshirjen sa më të madhe të institucioneve dhe përfaqësues të sektorit civil.”, - theksoi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Parlamenti ka ratifikuar 13 konventa të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. E para për të drejtat e fëmijëve në vitin 1993 dhe e fundit për persona me aftësi të kufizuara në vitin 2011. Po ashtu, Parlamenti ka miratuar 69 ligje.
MERAL ISMAILI
