Maqedoni

Matura shtetërore, MASh kërkon llogari nga qendra e provimeve

12.06.2023 17:55

Ministria e Arsimit dhe Shkencës i është drejtuar Qendrës Shtetërore të Provimeve me kërkesë për të gjetur përgjegjësinë...

Ministria e Arsimit dhe Shkencës i është drejtuar Qendrës Shtetërore të Provimeve me kërkesë për të gjetur përgjegjësinë ndërmjet pjesëmarrësve në realizimin e procesit, në raport me lëshimin e bërë gjatë nënshtrimit të provimit të dytë ekstern në gjuhën angleze, gjatë së shtunës.
 
Nga MASh thonë se edhe pse testi nuk ishte i disponueshëm për nxënësit para provimit, gjegjësisht ai u nda mes maturantëve përmes  aplikacionit për komunikim elektronik gjatë vetë provimit, megjithatë, ky është  lëshim që nuk duhet të kishte ndodhur në asnjë mënyrë dhe tërheqë përgjegjësinë e duhur.
 
QShP: KShM do të deklarohet për sanksione
 
Mirëpo, Qendra Shtetërore e Provimeve konsideron se në mënyrë më se profesionale, në kuadër të kompetencave të veta e ka kryer maturën shtetërore. 
 
“Për ngjarjet lidhur me grupin në Viber dhe ndarjen e pyetjeve dhe përgjigjeve gjatë mbajtjes së provimeve do të diskutohet në Këshillin shtetëror të maturës, si organ më i lartë për realizimin e maturës shtetërore. Në takim, anëtarët e KShM-së do të deklarohen nëse dhe çfarë sanksione do të ketë për të gjithë të involvuarit në çrregullimin e procesit të realizimit të maturës shtetërore. Qëndrimi i QShP është provimi i Gjuhës angleze të mos anulohet për të gjithë ata të cilët i kanë respektuar rregullat për kryerje të maturës shtetërore.”, thekson QShP në shkresën e nënshkruar nga drejtoresha, Bllagica Pavllovska.
 
Lidhur me provimet e ardhshme interne nga matura shtetërore, të cilat i organizojnë shkollat, QShP thekson se kompetente janë komisionet shkollore.
 
GAZMEND REXHEPI