Botë

ISIS, gjatë tërheqjes rrëmben 90 burra, gra e fëmijë

24.02.2015 16:38

Aktivistët sirianë njoftojnë rrëmbimin e dhjetëra të krishterëve në disa fshatra në verilindje të Sirisë nga militantët e dhunshëm të “Shtetit Islamik”...

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut raporton se të paktën 90 burra, gra e fëmijë janë marrë peng në orët e para të ditës së sotme gjatë një vale sulmesh në afërsi të qytetit Tal Tamr.

Disa prej të rrëmbyerve kanë mundur të largohen dhe i janë drejtuar zonës lindore të Hassakehsë, të kontrolluar nga kurdët. 

Ngjarja vjen në kohën kur luftëtarët kurdo-siriane, të mbështetur edhe nga ajri prej avionëve të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, shënuan përparim në terren, duke avancuar akoma më shumë në territoret e kontrolluara nga ISIS-i.

Xhihadistët janë detyruar të tërhiqen të paktën 5 kilometra larg qytetit të Tal Hamisit pas ofensivës së të ashtëquajturave njësi popullore të mbrojtjes. 

Ky avancim, gjithmonë sipas observatorit sirian, i ka kushtuar jetën të paktën 12 luftëtarëve islamikë.

Provinca  Hasakeh ka rëndësi të madhe strategjike në luftën kundër ISIS-it, për shkak se ndan kufijtë si me Turqinë, ashtu edhe me zonat e pushtuara prej xhihadistëve në Irak.

Peshmergat kurdë janë duke i sulmuar pozicionet e “Shtetit Islamik” edhe në anën irakiane të vijës së frontit, në lindje. 

VLORA LATIFI