Maqedoni
Rreziqet nga korrupsioni në Gjyqësor, gjykatësit kanë presion nga eprorët e tyre
13.06.2023 14:16
Gjykatësit janë nën presionin më të madh për lidhje korruptive nga kolegët e tyre...

Gjykatësit janë nën presionin më të madh për lidhje korruptive nga kolegët e tyre, nga kryetarët e gjykatave që janë eprorë ndaj tyre dhe nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor, nga të cilët varet se si do të avancohen dhe vlerësohen, tregojnë rezultatet hulumtuese anonime të realizuara me 427 gjykatës, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së.
Për dallim nga hulumtimi i mëparshëm, i cili u krye nga OSBE-ja në vitin 2009, ka një rënie prej 7 për qind të presioneve nga pushteti ekzekutiv - Qeveria, MPB, Ministria e Drejtësisë dhe ministritë dhe organet e tjera shtetërore. Ka një rritje prej dy për qind të presioneve dhe ndikimeve ndaj gjykatësve nga sektori i biznesit dhe madje 9 për qind nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor. Ky vlerësim i rreziqeve nga korrupsioni në gjyqësor, bazohet në dëshmitë dhe përvojat e gjykatësve dhe prokurorëve në vend. Në mënyrë anonime u anketuan edhe 164 prokurorë. Me këtë rast iu bë thirrje gjykatësve dhe prokurorëve që t'i përdorin këto hulumtime për të përmirësuar integritetin e institucioneve të tyre përkatëse.
“Nëpërmjet zërave të gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe përvojave të tyre personale, ky vlerësim sfidon status quo-në. Nuk është thjesht një dokument, është një katalizator për ndryshim. Është një thirrje për veprim, duke na nxitur të përpiqemi për një gjyqësor që mbështet parimet e drejtësisë, pavarësisë dhe llogaridhënies. Është detyra jonë kolektive që të sigurojmë që institucionet publike të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe të forcojnë shtyllat e demokracisë dhe sundimit të ligjit.”, - deklaroi Kilian Val nga Misioni i OSBE-së në Shkup.
“Ne kemi akuza për korrupsion dhe ato janë reale dhe të shumta. Nuk është koha të bëjmë punën si zakonisht, është koha të merren hapa të guximshëm, t’i mbledhim resurset e përbashkëta dhe të shohim se çka na flasin të dhënat dhe të gjejmë mënyrë që bashkërisht të luftojmë kundër korrupsionit që ekziston dhe t’i eliminojmë rreziqet që ekzistojnë në Gjyqësor.”, - theksoi zëvendës shefi i Misionit të ShBA-ve, Erik Mayer.
“Në kushte të sistemit të pamjaftueshëm efikas të integritetit në Gjyqësor dhe Prokurori publike, faktorët dhe rreziqet e brendshëm dhe të jashtme ndikojnë negativisht mbi efikasitetin e sistemit të jurisprudencës, por prapë se prapë udhëzojnë në sisteme potenciale të kontrollit të cilat duhet të vendosen që të zvogëlojnë ndikimin e rreziqeve të vërtetuara.”, - theksoi kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanova.
“Edhe më tej mbetet konstatimi për mungesë të iniciativës nga vet gjykatësit në ruajtjen e pavarësisë gjyqësore përmes refuzimit të të gjitha formave të ndikimit. Në këto momente, sfidat tona marrin një dimension tjetër, pavarësia gjyqësore nuk është më vetëm e drejtë, por dhe obligim. Edhe më tej mbetet dilema si të ruhet ajo. Nëse për këtë është e mjaftueshme dorëheqja me vullnet e aktorëve nga format e ndryshme të ndikimit apo kjo varët ekskluzivisht nga ne gjykatësit, prokurorët publik përmes përforcimit të rezistencës dhe masave për integritet.”, - u shpreh kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Xhemali Saiti.
Disa raste të marrëdhënieve të ngushta ndërmjet gjykatësve dhe avokatëve apo prokurorëve publikë janë evidentuar si rrezik korrupsioni, veçanërisht në rastet kur anëtarët e familjes mbajnë poste të tilla në të njëjtin qytet. Hulumtimet tregojnë se njëanshmëria e gjyqtarëve ndaj prokurorëve mbetet një çështje e rëndësishme problematike.
FLORIJE BELULI KAMBERI
