Botë
Kurti propozon plan 5 pikësh për çtensionim në veri
13.06.2023 14:38
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka propozuar shefit të diplomacisë së BE-së...

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka propozuar shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe QUINT-it një plan me pesë pika për çtensionimin e situatës në veri.
Në këtë plan, Kurti propozon:
Nën një: Sundim të ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtareve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët.
Në pikën dy: Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akti kriminal kundër institucioneve të Kosovës.
Tre: Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
Pika e katërt: Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.
Dhe pika e pestë: Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.
“Me Borrellin dje, dhe vendet mike e partnere të QUINT-it sot, e kam shprehur përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë, për de përshkallëzimin e situatës në komunat veriore të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pra, deeskalim dhe normalizim.”, - deklaroi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Draft statuti i Ramës për asociacionin në veri, Kurti: Rama t’ia propozojë Vuçiqit për Luginën
Sa i përket draft-statutit të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se ende nuk e ka parë atë, por theksoi se Rama është dashur të propozojë Asociacion për Luginën e Preshevës.
“Unë nuk kam dyshim, besoj që propozimi i tij është i mirë. Duke qenë kështu unë propozoj që kryeministri Rama, këtë draft-statut për pakicat kombëtare të t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më së largu në takimin e Ballkanit të Hapur, si propozim për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Aq më tepër që Neni 8, pika një e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë se Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jetojnë jashtë kufijve të saj. Duke besuar në atë që beson kryeministri Edi Rama, që modeli i tij është i mirë dhe i duhur, në vend se t’i propozohet për serbët në Kosovë në Paris e Berlin, t’ia propozojë Beogradit për shqiptarët.”, - theksoi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri Rama, përgjigjen e Kurtit e përcolli “live” në Facebook, me ç’rast kryeministri i Kosovës dha detaje edhe për mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, që do të mbahet të mërkurën në Gjakovë.
GYLTENE SINANI
