Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Pendarovski: VMRO mund të votojë edhe si opozitë
13.06.2023 14:59
Shefi i shtetit Stevo Pendarovski përshëndet relaksimin e VMRO-DPMNE-së në drejtim të ndryshimeve kushtetuese...

Shefi i shtetit Stevo Pendarovski përshëndet relaksimin e VMRO-DPMNE-së në drejtim të ndryshimeve kushtetuese, por thotë se kërkesa e tyre që ndryshimet kushtetuese të mund të vihen në zbatim pasi të anëtarësohemi në BE, për Pendarovskin janë jashtë realitetit, për shkak se jemi të varur nga korniza negociuese e BE-së. Po ashtu, presidenti thotë se ndryshimet kushtetuese mund të votohen edhe duke qenë opozitarë.
“Konkluzat e Këshillit Evropian janë të qarta si kristal. Patjetër t’i bëni ndryshimet kushtetuese deri në fund të procesit të skriningut që me automatizëm të vazhdoni me konferencën e dytë dhe hapjen e klasterëve. Në ato konkluza të Këshillit të BE-së është ndërtuar edhe qëndrimi i Bullgarisë, i të gjithë anëtarëve. Duhet të kemi konkluza të reja, ndërsa ju e dini sa e vështirë është të arrihet në konsensus të plotë.”, - deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
Kryetarja e Sllovenisë: Ndryshoni kushtetutën, të njëjtën e bëmë edhe ne
Komentet Pendarovski i tha në press konferencën me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar. Kjo e fundit pohon realitetet se të gjitha vendet aspirantë duhet t’i plotësojnë disa kushte në këmbim të anëtarësimit në BE.
“Më besoni se si njeri që e di peshën e afrimit të ligjshmërisë me BE-në, e di se është e vështirë. Sllovenia e kaloi atë proces. Më lejoni të potencoj se edhe Sllovenisë iu desh ta ndryshojë Kushtetutën dhe atëherë në atdheun tim dëgjohej se si ajo nuk ishte e mirë për popullin slloven, si do të humbej gjuha sllovene. Por, ishim të vetëdijshëm dhe politika sllovene e dinte se duhej të ishte e bashkuar kur duhej të realizoheshin projektet evropiane. Shpresoj se politikanët do ta kuptojnë rëndësinë e unitetit se duhet të shkohet 5, 6 hapa përpara dhe ta kuptojnë çka është e mirë për Maqedoninë. Sinqerisht dëshiroj të keni mençuri politike të mjaftueshme dhe do ta ndryshoni Kushtetutën. Edhe BE-ja duhet ta bëjë pjesën e vet.”, - theksoi kryetarja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.
Dy kryetarët e shteteve kanë biseduar edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve, sfidat rajonale dhe problemet kontinentale aktuale.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
