Maqedoni

Çmimet e derivateve të naftës, shitësit: nuk presim të ndikojnë te produktet

24.02.2015 16:57

Ngritja e çmimeve të naftës nuk do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve, por edhe shërbimeve të tjera...

Parashikimet e tilla dalin nga vetë shitësit e produkteve ushqimore.
 
Skeptik për një rritje çmimesh shprehen edhe drejtorët e kompanive të taksive. Ata as që mendojnë të rrisin çmimet e shërbimeve të tyre në çdo dy javë, kur dhe rriten çmimet e karburanteve.
 
Kjo do të dëmtonte vetë kompanitë, por edhe qytetarët.
 
“Çdo ndryshim i çmimit për çdo taksi-veturë kushton 50 euro, d.m.th. fiskalizimi i taksimetrit, dhe për atë arsye nuk mundemi të bëjmë aso ndryshime shumë të shpeshta. Nëse sot e kemi një çmim tjetër e mbas dy jave e kemi një çmim tjetër, atëherë me siguri se do të krijohet huti tek qytetarët dhe do të pasojë humbja e punës”- deklaroi drejtori i Kompanisë së Taksive “Eurokom”, Muzafer Rexhepi.
 
Ekspertët ekonomikë dalin me analizat e tyre. Sipas ekspertit ekonomik, Sami Bislimit, rritje të theksuar të çmimeve të produkteve nuk mund të ketë, pasi që fondet blerëse të qytetarëve janë të pakta.
 
“Çmimet e naftës ndikojnë në drejtim të rritjes së çmimeve. Zvogëlimi i fondeve blerëse ndikon në drejtim të uljes së çmimeve, sepse nuk ka presion në drejtim të rritjes së kërkesës të produkteve në tregun e vendit. Mendimi im përfundimtar është se nuk do të ketë ngritje të çmimeve, posaçërisht jo ngritje të theksuar të produkteve në tregun e brendshëm”- tha eksperti i ekonomisë, Sami Bislimi.
 
Disponimi për ruajtjen e çmimeve aktuale vërehet edhe në tregje. Shitësit dhe qytetarët ankohen për një situatë të rënduar financiare.
 
“Çmimet janë të ulëta, fitimi është i vogël, populli para nuk ka, aty është problemi”- u shpreh një shitës.
 
“Çmimet, jeni duke e parë edhe vetë. Krizë e madhe, problem është”- theksoi një qytetar.
 
“Çmimet nuk janë fort të shtrenjta, por edhe shtrenjtë janë kur nuk ka para”- tha një qytetar.
 
Dje, Komisioni Rregullator i Energjetikës rriti çmimet e derivateve të naftës. Benzina u shtrenjtua për tre denarë për litër, ndërsa dizeli për katër.
 
MERAL ISMAILI