Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski i gatshëm t’ia lë karrigen Mickoskit
13.06.2023 15:17
BDI, që të bind opozitën të pranojë ndryshimet kushtetuese, ofron plan tre pikësh....

Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin, por jetësimi i tyre mbetet vetëm çështje kohe, thonë nga Qeveria duke u thirrur në kornizën negociuese. Në një takim me gazetarë, funksionarë qeveritar thonë se dialogu ndërpartiak patjetër duhet të vazhdojnë, madje Kovaçevski është i gatshëm që t’ia lë Mickoskit karrigen e kryeministrit.
“Mbetet oferta që LSDM të lë pesë poste ministrore. Nëse dikush nga VMRO-DPMNE dëshiron të jetë kryeministër, me kënaqësi do të tërhiqemi. Mickoski kërkon veprim të vonuar të ndryshimeve kushtetuese vetëm që të dalë nga procesi. Nëse nuk arrihet, na mbetet të diskutojmë drejtpërdrejt me deputetët.”, thonë burime qeveritare.
BDI me ofertë tre pikëshe për opozitën
BDI që të bind opozitën ofron plan tre pikësh: opozita të mbështesë ndryshimet kushtetuese dhe BDI të tërhiqet nga qeveria. Këto dy pika kushtëzohen me të tretën nisjen e hetimit ndërkombëtar të partive.
“Të nis një hetim i partive politike prej kryetarëve të partive politike, kush janë, çfarë kanë bërë, edhe atë me prezencë të ekspertëve ndërkombëtarë që do të garantojnë objektivizëm. Nëse edhe kjo dështon, atëherë ne kemi edhe plan B.”, - deklaroi ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani.
VMRO dhe LSDM me kushtëzime për dialogun
Nga VMRO-DPMNE nuk mjaftohen vetëm me ikjen e BDI-së nga Qeveria, por kërkojnë garanci që ndryshimet kushtetuese të mos hyjnë në fuqi me automatizëm.
“Propozimi ynë i parë thotë: Qeveri kalimtare pa BDI-në, pasi që për ne BDI është sinonim i krimit dhe korrupsionit dhe ndryshime kushtetuese me veprim të vonuar, d.m.th. presim që të japin përgjigje se a e pranojnë edhe këtë pjesë të dytë të propozimit fillestar.”, - theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska.
LSDM fton VMRO-në që të lërë deklarimet publike dhe t’i qaset thelbësisht bisedimeve duke formuar grup pune.
“Mickoski pranoi ndryshimet kushtetuese dhe pjesëmarrje në qeveri të zgjeruar. Tani nevojitet që të vazhdojë dialogu dhe në vend të deklaratave dhe konferencave për media, nevojitet që VMRO-DPMNE të formojë grup pune.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
ASh: VMRO ka dhënë sinjale pozitive
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, edhe përkundër kundërshtimeve, konsideron se VMRO ka dhënë sinjale se do të mbështesë ndryshimet kushtetuese.
“Tani bisedohet vetëm për finesa, për gjëra të vogla, të cilat unë i quaj të vogla, nuk është me rëndësi se si do të duket qeveria e ardhshme apo si do të organizohet pushteti në 100 ditët e ardhshme apo gjashtë muajt e ardhshëm, me rëndësi është se Maqedonia me shumë gjasa do të hap negociata me BE-në së bashku me Shqipërinë.”, - u shpreh kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
ASh s’do të heq dorë nga kërkesa për heqjen e 20%-it nga Kushtetuta duke vlerësuar momentin aktual, si të duhurin për kthesën në dobi të shqiptarëve.
MERAL ISMAILI
