Maqedoni

Eurointegrimet, PE jep rekomandimin e 9-të për Maqedoninë

24.02.2015 17:12

Edhe përkundër situatës aktuale politike në vend, Parlamenti Evropian për të nëntën herë kërkoi nga Bashkimi Evropian të fillojë negociatat për anëtarësim të Maqedonisë...

Ky është mesazhi kryesor në draft-rezolutën e raportuesit, Ivo Vajgl, e cila do të miratohet në seancën plenare pas një muaji, ndërsa sot kaloi në Komitetin për Punë të Jashtme të PE-së.
 
Nënkryetari Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Andrei Plenkoviq, theksoi se është e padrejtë ajo që BE-ja i bën Maqedonisë me bllokadën greke. Sipas tij, kriza aktuale politike në vend është gjithashtu rezultat i frustrimit nga bllokada e padrejtë në  strukturat euroatlantike.
 
“Të dëgjohet qëndrimi i KE-së, e cila viteve të fundit disa herë  qartë tha se bisedimet mund të fillojnë dhe paralelisht mund të zhvillohen bisedimet diplomatike për çështjen që është në rend dite, ku të gjithë e dimë se është çështja e emrit”- deklaroi nënkryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në PE, Andrej Plenkoviq.
 
Në moment të fundit në rezolutën e PE-së u gjetën edhe afera “PUÇ”, “Përgjimi” dhe në përgjithësi kriza e fundit politike.
 
PE-ja shpreh shqetësim për klimën politike në vend dhe kërkon nga qeveria që të respektojë rolin e parlamentit, të sigurojë volum të mjaftueshëm dhe kohë për konsultim, mbi të gjitha për amendamentet kushtetuese dhe të lejojë një kontroll të plotë, të pavarur parlamentar.
 
Raporti i Parlamentit Evropian potencon edhe lirinë e mediave, dyshimet për gjyqësi selektive, problem në trajtimin e etniteteve pakicë dhe çështje të tjera sociale.
 
Por, eurodeputetët  besojnë se emri nuk duhet të pengojë hapjen e negociatave, por duhet të zgjidhet para përfundimit të negociatave dhe hyrjes së Maqedonisë në BE. 
 
SANIJE KASAMI