Maqedoni

Kumanovë, përforcim i kapaciteteve kundër ekstremizmit të dhunshëm

13.06.2023 17:24

Kryetarë komunash, përfaqësues të pushtetit lokal dhe qendror, si dhe përfaqësues të OJQ-ve...

Kryetarë komunash, përfaqësues të pushtetit lokal dhe qendror, si dhe përfaqësues të OJQ-ve dhe përfaqësues të shoqatave nga komunat e Kumanovës, Prilepit, Gostivarit, Tetovës, Strumicës dhe Kisella Vodës u takuan në Kumanovë për t’i përforcuar politikat, programet dhe strukturat në RMV të udhëhequra nga komunat në përballje me urrejtjen, ekstremizmin dhe polarizimin. Ky aktivitet u mbajt nën patronazhin e Rrjetit “Qytetet e forta” në partneritet me Komunën e Kumanovës. Pjesëmarrësit në këtë punëtori debatuan për rreziqet, por njëherit edhe shpërndanë përvoja preventive të bazuara në bashkësitë, si dhe në bashkëpunimin mes trupave civile dhe strukturave të sigurisë. 
 
“Është e vërtetë se duhet t’i forcojmë kapacitetet tona, sepse rasti i fundit në Serbi dëshmon se ende jemi larg preventivave të plota nga rastet e këtilla të padëshiruara në shoqëri. Gjithashtu, evidente është se ekziston bullizmi nëpër shkolla, që gjithashtu duhet të eliminohet, e për gjithë këtë nevojitet nivel shumë më i lartë i bashkëpunimit të ndërsjellë i institucioneve lokale e qendrore.”, - deklaroi kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski. 
 
“Tema kryesore ishte pse nuk funksionon sistemi në Maqedoni dhe pse paraqitet urrejtja, polarizimi, por edhe ekstremizmat . Ideja dhe qëndrimi im ishte se ne kemi një sistem jofunksional, ku kemi dy pushtete dhe nëse janë të dy partive të ndryshme, këto janë pushtete që nuk kanë kurrfarë komunikimi. Deri para 100 ditësh unë isha kryetar komune si opozitar dhe me plot përgjegjësi e them se kemi pasur diskrepanca në qëndrime dhe moskoordinim absolut me pushtetin qendror.”, - u shpreh kryetari i Gostivarit, Arben Taravari.
 
Ndryshe, rrjeti i “Qyteteve të forta” është në mënyrë aktive i kyçur në mbështetjen e përpjekjeve të udhëhequr nga qytetet e përballura nga më shumë palë, në RMV e njëherit edhe i harmonizuar me strategjinë kombëtare në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në vend. Puna e rrjetit të “Qyteteve të forta” në RMV është e mbështetur nga Stejt Departamenti i ShBA-ve.
 
FATLUM AQIFI