Botë
Sulmet me raketa ruse, humbin jetën 7 persona, dhjetëra të plagosur, Zelensky: Betejat janë të ashpra, ecim përpara
13.06.2023 17:53
Të paktën 7 persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë plagosur nga bombardimet...
Të paktën 7 persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë plagosur nga bombardimet ruse në Kreviri të Ukrainës. Mësohet se 19 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga sulmet ruse morën flakë pesë ndërtesa me sipërfaqe 700 metra katrorë. Nën rrënoja janë të ngujuar dhjetëra civil dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
“Ndodhi një tragjedi në qytet, kanë rënë disa raketa ruse. Janë shkatërruar kapacitete industriale, disa ndërtesa dhe shtëpi banimi.”, - tha një banor i Krevirit.
“Kur dolëm nga ndërtesat pas sulmit, ajo që pamë ishte: njerëz të hutuar të cilët kishin dal të zhveshur nga frika me fëmijët e tyre në duar. Disa kishin dalë me peshqir në trup dhe shapkat, disa kishin marrë batanije dhe ujë për fëmijët.”, - u shpreh një banore e Krevirit.
"Unë isha duke fjetur pikërisht këtu në një divan, pasi zakonisht fle në dhomën e gjumit. Ju mund të shihni si është shkatërruar dhoma e gjumit, thjeshtë e konsideroj vetën me fat. U hodha në këmbë për shkak të valës së shpërthimit dhe nxitova, ashtu siç isha e veshur, pra më të brendshmet e gjumit.”, - theksoi një banore tjetër e Krevirit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili është lindur në Kreviri e dënoi sulmin rus dhe njoftoi se ushtria ukrainase është duke përparuar, pavarësisht agresionit rus.
“Betejat janë të ashpra, por ne po ecim përpara dhe kjo është shumë e rëndësishme. Humbjet e armikut janë pikërisht ato që na duhen. Edhe pse moti është i pafavorshëm këto ditë, shirat na e vështirësojnë detyrën, forca e luftëtarëve tanë ende jep rezultate. Sulmet e armikut në Kreviri duhet dënuar dhe kjo na jep forcën të ecim përpara dhe të rikthejmë territoret tona të pushtuara.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Fjalimi i presidentit vjen në kohën kur forcat ukrainase kanë rimarrë disa vendbanime, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve të rifituara në shtatë, vetëm gjatë një jave.
FARIJE DAUTI BAKIJU
