Botë
Begaj mbledh Këshillin e Sigurimit
13.06.2023 19:00
Kur ka kaluar një vit nga sulmet kibernetike të regjimit iranian, rreziku për të tjera sulme në Shqipëri...

Kur ka kaluar një vit nga sulmet kibernetike të regjimit iranian, rreziku për të tjera sulme në Shqipëri mbetet i pranishëm. Për të koordinuar hapat kundër tyre, presidenti Bajram Begaj mblodhi Këshillin e Sigurimit, institucionin më të lartë të sigurisë kombëtare.
“Pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe të financuar nga Republika Islamike e Iranit, e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. pothuaj një vit pas sulmeve shkatërrimtare është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme dhe ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike.”, - deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Begaj tha se sulmet e Iranit janë jo vetëm digjitale, por edhe në formën e propagandës, ndërsa vlerësoi mbështetjen e ndërkombëtarëve në përballimin e agresionit kibernetik.
“Vlerësoj maksimalisht punën e bërë nga institucionet, të cilët në bashkëpunim me partnerët strategjikë, si ShBA, BE, NATO dhe me vende të tjera partnere e aleate, kanë bërë për arsimimin trajnimin dhe ndërgjegjësimin e specialistëve, ekspertëve dhe të të gjithë përdoruesve, të cilët kanë ekses në sisteme teknologjike dhe informacioni, me fokus të veçantë infrastrukturat kritike dhe infrastrukturat e rëndësishme të informacionit.”, - theksoi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Për herë të parë në mbledhje mori pjesë edhe Vlora Hyseni, drejtuesja e re e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe vetëm një përfaqësues i opozitës. Përmirësimet ligjore, investimet në teknologji, arsimimi dhe trajnimi i ekspertëve ishte porosia e Begajt për institucionet kryesore në vend.
Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike nga Irani në verën e vitit të kaluar, kur u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, që nuk funksionuan për 4 ditë. Kjo solli edhe vendimin e Shqipërisë për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.
LULJETA NDOKA
