Botë
Rama anulon mbledhjen e përbashkët të qeverive me Kosovën
13.06.2023 20:46
Në një konferencë të jashtëzakonshme, kryeministri Edi Rama njoftoi anulimin e mbledhjes...

Në një konferencë të jashtëzakonshme, kryeministri Edi Rama njoftoi anulimin e mbledhjes së përbashkët me qeverinë e Kosovës.
“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Arsyeja, tha Rama, lidhet me refuzimin e kryeministrit Albin Kurti për të pranuar një takim të një formati më të ngushtë për të diskutuar situatën.
“Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borrel, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë. Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them që nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot”, theksoi Rama.
Rama tha se është 100% kundër veprimeve të Kurtit, për të cilin paralajmëron se nëse nuk ndryshon qëndrim, sanksionet ndërkombëtare janë afër.
“Kam bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, shtoi Rama.
LULJETA NDOKA
