Spanja dhe Brazili të bashkuar në luftën kundër racizmit
14.06.2023 09:59
Vitin e ardhshëm, ekipet e futbollit të Spanjës dhe Brazilit do të luajnë një ndeshje miqësore në stadiumin Santiago Bernabeu...

Vitin e ardhshëm, ekipet e futbollit të Spanjës dhe Brazilit do të luajnë një ndeshje miqësore në stadiumin Santiago Bernabeu në kuadër të një fushate të organizuar në luftën kundër racizmit dhe në mbështetje të futbollistit Vinicius Junior. Këtë informacion e ka konfirmuar presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, i cili tha se gjobat në luftën kundër racizmit nuk mjaftojnë. Ai dhe kolegu i tij, presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit Ednaldo Rodrigues, u takuan për një drekë pune në Madrid dhe së bashku nisën një aksion kundër racizmit të quajtur "Një lëkurë".
"Është e rëndësishme të kuptohet se duhet të ketë dënime të rënda në të gjitha rastet e racizmit nga autoritetet e futbollit. Vetëm gjobat nuk mjaftojnë. Klubet gjithashtu duhet të përfshihen, dhe Federata e Futbollit të Brazilit ishte e para që vendosi dënime për rastet e racizmit të tilla si heqja e pikëve nga klubet, mbyllja e tribunave për tifozët dhe pezullimet e përjetshme”, tha Rubiales dhe shtoi: “Ne duhet të nisim një fushatë globale për të luftuar këtë virus që po i turpëron të gjithë në futboll”. Thuhet se ndeshja e përmendur do të luhet në mars të vitit 2024.
