Maqedoni

Seancë publike në Gjykatën Supreme për “Monstrën”

14.06.2023 10:30

Në Gjykatën Supreme, sot mbahet seanca publike për rastin “Monstra”...

Në Gjykatën Supreme, sot mbahet seanca publike për rastin “Monstra”. Më 17 maj, Supremja e anuloi seancën gjyqësore pasi që avokatët e të dënuarve të rastit “Monstra” kërkuan që të tërhiqen gjyqtarët, Safet Kadrii dhe kryetarja e Këshillit Gjykues në Supreme, Cvetanka Periq, pasi që ata kanë qenë në trupin gjykues për rastin e përleshjes me armë zjarri në një fermë në Belimbegovë gjatë vitit 2009, në të cilin është i dënuar Fejzi Aziri.

Gjykata tha se do ta shqyrtojë rastin dhe më pas do të sjellë vendim. Pas mbarimit të seancës, avokati Naser Raufi deklaroi se presin që të tërhiqen dy anëtarët, pasi që kanë vendosur për një lëndë, e cila është segment i rastit “Monstra”. Më 6 shtator 2022, Gjykata e Apelit në Shkup shpalli vendimin për rastin “Monstra” dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit. Të dënuarit dhe familjarët e tyre e mohojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje dhe akuzojnë funksionarë shtetërorë për inskenim.