Maqedoni

MASH-i dëgjon studentët, Ligji i ri në Arsimin Sipëror

24.02.2015 18:05

Ligj i ri në arsimin sipëror. Ky është konkluzioni në takimin e sotëm mes ministrit të Arsimit, Abdylaqim Ademi, Plenumit të Studentëve dhe të Profesorëve...

Ditëve në vijim, grupet e punës do fillojnë përpilimin e tekstit ligjor. Këtë e bëri të ditur rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski, i cili shpalosi arsyet për nevojën e përpilimit të ligjit të ri.
 
“Do të formohen grupe punuese, të cilat në afat prej 30 deri në 45 ditë do të duhet të përpilojnë konceptin për ligjin e ri dhe pas përpilimit të konceptit të ligjit të ri do të organizohet konferencë me përfshirje të grupeve më të zgjeruara. Në fazën e fundit për tekstin do të ketë debat publik, në vërejtjet eventuale të inkorporohen  në  propozim tekstin ligjor”- deklaroi rektori i Universitetit “Shen Kirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski.
 
Rektori Stojkovski, nuk precizoi se a do të jetë provimi shtetëror pjesë e ligjit të ri.
 
“Ligji i ri për Arsim Sipëror dhe koncepti do t’i zgjidh të gjitha këto çështje dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me provimin shtetëror, por edhe me të gjitha vështirësitë e tjera të cilat i hasin universitetet gjatë implementimit të këtij ligji”- tha rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski.
 
Ndërkohë, Plenumi i Studentëve thotë se kërkesa e tyre për përpilimin e një ligji të ri është pranuar.
 
Konkluzionet nga ky takim do t’u prezantohen studentëve në Plenumin Gjeneral, pas të cilit studentët do të kumtojnë qëndrimin e tyre.
 
“Është pranuar kërkesa jonë për ligj të ri në sferën e arsimit sipëror. Ne sonte, pas Plenumit Gjeneral do t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve që ju po i parashtroni”- u shpreh Ivana Tufekgjiq nga Plenumi i Studentëve.
 
Ligji i ri pritet të përmirësojë cilësinë në arsimin sipëror, siç pretendon MASH-i, por duke marrë parasysh kërkesat e palëve më të interesuara, studentëve dhe profesorëve, për të cilët bëhet ligji.
 
Ky është ndryshimi i 15-të me radhë që i bëhet Ligjit për Arsim Sipëror.
 
FLUTURA LATIFI