Maqedoni
Qeveria e re pa BDI-në, analistët: Jo e dobishme, qeveri pa shqiptarët
14.06.2023 13:59
Tendencat e disa partive maqedonase që në një format tjetër qeveritar për t’i eliminuar partitë shqiptare është shqetësuese...

Tendencat e disa partive maqedonase që në një format tjetër qeveritar për t’i eliminuar partitë shqiptare është shqetësuese, thanë në mes tjerash analistët politik në emisionin “Argument”. Sipas Imer Selmanit, kjo tendencë nuk është e dobishme për vendin dhe kjo, sipas tij është një amaterizëm politik i VMRO-DPMNE-së dhe liderit të tyre, Hristijan Mickoski. Sipas tij gëzon fakti që partitë politike shqiptare refuzuan pjesëmarrjen në këtë qeveri.
“Ajo që është shqetësuese, është tendenca që në një format të ri qeveritar të eliminohen partitë politike shqiptare nga pjesëmarrja në Qeveri, kjo është brengosëse. Ishte shumë i shpejt reagimi i partive tjera politike shqiptare se nuk janë të interesuar as ASh-ja të marrë pjesë në atë format të Qeverisë, ku është e kushtëzuar mospjesëmarrja pjesë e BDI-së, por edhe BESA doli si parti opozitare që thanë se nuk janë të interesuar, kështu që do të ishte një çudi e madhe, nëse vazhdon të insistojë VMRO-DPMNE për krijimin e një Qeverie, e cila do të ishte pa shqiptarët.”, - deklaroi analisti politik, Imer Selmani.
Por, për analistin tjetër politik, Albert Musliu, takimi i liderëve nxori në sipërfaqe nacionalizmin e tyre të tepruar, nxori në sipërfaqe mospasjen e gatishmërisë për largimin e 20 për qindëshit, por nxori në sipërfaqe politikat e tyre të pa reformuara përballë etniteteve dhe qëndrimet e tyre jo-konzistente për raste të caktuara.
“Me këto veprime që VMRO-DPMNE-ja i bën tash, tregon se ka një nacionalizëm të spikatur. Ata kërkojnë prej nesh mirëkuptim për rrezikun e identitetit të tyre, por nga ana tjetër kanë rezervë për heqjen e 20 për qindëshit, pra këto janë në kundërshtim se ju kur të keni kohezion të brendshëm duhet të keni mirëkuptim për të dyja palët. Këto amatorizma që janë bërë, tash janë të dëmshme, por nuk do të ngelin pa përgjigje.”, - theksoi analisti politik, Albert Musliu.
Kurse, për profesorin universitar, Bashkim Selmani, realizimi i takimit të liderëve vetëm në mes dy liderëve politik maqedonas ka qenë hap i gabueshëm.
“Që nga momenti me të cilën partitë politike shqiptare edhe shqiptarët nga pavarësia e Maqedonisë deri në ditët e sotme nuk kanë pasur një strategji politike dhe juridike se çfarë duam dhe çfarë roli kemi në këtë shtet ne. Por, gabimi kryesor është i bartësit të sovranitetit, në këtë rast të Kovaçevskit. Cila ishte agjenda e diskutimit, si mund të pranohet një gjë e tillë, këto janë lojëra që gjithmonë LSDM dhe VMRO-DPMNE krijojnë situata të tilla, ata e dinë vijën e kuqe se ku është pra mbrojtja e shtetit dhe sa më pak pushtet t’u jepet shqiptarëve.”, - u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.
Të tre panelistët njëzëri konstatuan se edhe përskaj shumë lëshimeve të cilat në vazhdimësi i bëjnë shqiptarët, çështja e largimit të formulimit të turpshëm prej 20 për qindtëve duhet të largohet nga Kushtetuta dhe për këtë duhet të ketë gatishmëri edhe tek faktori politik maqedonas.
FITIM KRYEZIU
