Maqedoni

Besimi: Strategjia e re fiskale 2024-2028 u miratua

14.06.2023 14:57

Konsolidimi fiskal i vazhdueshëm, zvogëlimi gradual i deficitit buxhetor dhe borxhit publik...

Konsolidimi fiskal i vazhdueshëm, zvogëlimi gradual i deficitit buxhetor dhe borxhit publik, stimulimi i aktivitetit ekonomik përmes shpenzimeve kapitale dhe investimeve infrastrukturore, si dhe përmirësimi i kushteve për zhvillimin e biznesit dhe hapjen e vendeve të reja të punës, janë rezultatet e pritura nga projeksionet afatmesme në Strategjinë fiskale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2024-2028, hartuar nga Ministria e Financave dhe miratuar nga Qeveria, në mbledhjen e fundit. Kjo strategji fiskale përfshin indikacionet dhe pikësynimet afatmesme të politikës fiskale, projeksionet bazë makro-ekonomike, vlerat për kategoritë kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve të vlerësuara, si dhe projeksionet për deficitin buxhetor dhe borxhin. U hartua në përputhje me Ligjin e Buxheteve, të harmonizuara me rregullat fiskale të BE-së.
 
“Strategjia fiskale është dokument i rëndësishëm që përcakton indikacionet afatmesme me të cilat do të menaxhohet politika fiskale në periudhën e ardhshme. Elementet kyçe të politikës fiskale afatmesme janë rihartimi i politikës buxhetore dhe konsolidimi fiskal, të cilat janë në drejtim të përkrahjes së stabilitetit makroekonomik, përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe në këtë mënyrë përforcimit të potencialit për rritjen e ekonomisë vendase.”, - deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
 
Vlerat e planifikuara të mjeteve në periudhën e ardhshme paraqesin intensifikimin e projekteve infrastrukturore, përkatësisht, investimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investimet kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, pastaj kushteve në bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe në gjyqësor. Një nga prioritetet më të mëdha të Qeverisë është përmirësimi i menaxhimit të financave publike dhe përforcimi i buxhetimit afatmesëm për 5 vitet e ardhshme. Kjo është gjithashtu pjesë e procesit për aderimin e vendit në BE.
 
FITORE DEMOLLI