Maqedoni
Pazaret politike për ndryshimet kushtetuese, LSDM: Opozita të vazhdojë dialogun
14.06.2023 16:01
Edhe pas një jave nga takimi tet a te mes kryeministrit Kovaçevski dhe liderit të VMRO-DPMNE-së...

Edhe pas një jave nga takimi tet a te mes kryeministrit Kovaçevski dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Mickoski, pushteti dhe opozita mbesin në qëndrimet e njëjta dhe vazhdojnë të interpretojnë se kush çfarë ka thënë. Nga LSDM thonë se do të bisedojnë me kolegët e opozitës që t’u bashkohen në arritjen e qëllimit strategjik për anëtarësim në BE dhe të formojnë grupe pune që të vazhdohet dialogu.
“Nuk do të dështojë, sepse shteti medoemos të ecë para dhe ne si politikanë përgjegjës, nuk do të lejojmë që VMRO-DPMNE të na mbajë peng. Prandaj dhe i kemi këto ftesa të përditshme që të përfshihen të tërë procesin që d.m.th. përparim i shtetit. Ne si LSDM ju kemi ofruar 5 vende ministrore të futen në qeveri dhe të sillen ndryshimet kushtetuese.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Mile Talevski.
VMRO-DPMNE: Kovaçevski të zgjedhë njërën ofertë
Deputetët e VMRO-DPMNE-së mbesin të mendimit se në këto rrethana nuk do të përkrahin amendamentet kushtetuese, pavarësisht ofertave që mund të marrin në këmbim. Ata vazhdojnë të kërkojnë përgjigje nga Kovaçevski se cilën ofertë të tyre e pranon.
“LSD-ja edhe BDI po luftojnë vetëm për pushtet, as për BE, as për mbrojtjen e interesave kombëtare, por VMRO-DPMNE, ndryshe nga ata, jep dorën për bashkim kombëtar. LSD duhet të zgjedhë një nga dy propozimet, që Maqedonia të ecë përpara. E para janë ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar dhe një qeveri kalimtare pa BDI-në dhe e dyta janë zgjedhje të shpejta dhe më pas mbështetja nga partia që do të jetë në opozitë me qeverinë për të kërkuar garanci dhe pako të ndihmës financiare nga BE-ja.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov.
Besa: Të hiqet 20%-i ose nuk votojmë ndryshimet
Nga Lëvizja “BESA” thonë se nuk do të bëjnë kalkulime politike për ndryshimet kushtetuese, ata pranojnë çdo lloj qeverie, por me kusht heqja e formulimit 20 për qind nga Kushtetuta.
“Duke pasur parasysh faktin që edhe për ndryshimet kushtetuese Qeveria nuk ka garancinë se i ka siguruar 80 mandate, që të dërgojë propozimin në Kuvend. Ne e kërkojmë të njëjtën qasje të kësaj qeverie edhe për 20%, Qeveria të dërgojë edhe propozimin tonë dhe të disa deputetëve të tjerë, në këtë rast të “Grupit të zjarrit” në Parlament dhe këtu ne si Lëvizje “Besa” garantojmë se do të përkrahim ndryshimet kushtetuese. Nëse Qeveria bën inat me Lëvizjen “Besa” dhe nuk e fut në procedurë zëvendësimin e 20%-it, atëherë vlerësojmë se nuk kemi obligim që të përkrahim propozimin e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese.”, - theksoi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Ndryshimet kushtetuese duhet të hyjnë në procedurë parlamentare në fund të muajit dhe për t’u miratuar duhet votuar me 2/3 e deputetëve.
SANIJE DURAKU
