Maqedoni

Rasti "Monstra" në Gjykatën Supreme, shpalosen ankesat, mbrojtja kërkon rigjykim

14.06.2023 16:18

Në seancë publike në Gjykatën Supreme u shpalosën ankesat për Rastin "Monstra"...

Në seancë publike në Gjykatën Supreme u shpalosën ankesat për Rastin "Monstra". Pala mbrojtëse në këtë rast, sërish kërkon nga Gjykata Supreme që rasti të kthehet në rigjykim. Sipas tyre, Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit gjatë rigjykimit, nuk vepruan në përputhje me udhëzimet e Gjykatës supreme ku vendosi për rigjykim të rastit, për shkak të paraqitjes së rrethanave të reja. Avokatët mbrojtës kontestuan ekspertizat e realizuara që në këtë rast përdoren si dëshmi duke i quajtur ato të falsifikuara, të porositura dhe të realizuara pa urdhër gjyqësor. I akuzuari me burg të përjetshëm, Agim Ismailoviq, para trupit gjykues tha se nuk kërkon mëshirë, por drejtësi.
 
“Ne shpresojmë që do të rikthehet lënda dhe këto ekspertiza edhe një herë të rishqyrtohen prej ekspertëve ndërkombëtarë, pasi që edhe vet ekspertët konstatuan që ne nuk kemi mundësi të bëjmë posaçërisht ekspertizën e dheut. E kishim edhe referimin e grupit të ekspertëve, 11 ekspertë eminent që konstatuan se këto ekspertiza që janë bërë, janë të falsifikuara.”, - deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
“Dëshmi të siguruara në mënyrë joligjore nuk mund të përdoren në procedurë penale. Presim që të anulohen vendimet dhe lënda përsëri të kthehet në rigjykim.”, - theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahi.
 
Familjarët e të akuzuarve edhe pas 11 viteve gjykim në të gjitha instancat gjyqësore kanë shpresa për drejtësi.
 
“Vendimet e shkallës së parë dhe vendimet e shkallës së dytë me asnjë provë nuk e argumenton asnjë fjali të vendimeve të gjykatave më të ulëta me prova materiale, por vetëm me paragjykime dhe thashetheme. I lutem gjykatës, të jetë e drejtë dhe të miraton vendim meritor për lirimin e njerëzve të pafajshëm, të cilët për 11 vite nuk kanë ndonjë vendim meritor.”, - u shpreh familjari, Bedri Ajdari.
 
Për prokurorin shtetëror, ankesat e mbrojtjes janë të pabaza dhe se aktvendimet gjyqësore janë të qarta dhe juridikisht të arsyetuar. Vendimin për rastin "Monstra", Gjykata Supreme do ta shpalosë me shkrim periudhën në vazhdim. Për rastin “Monstra” aktualisht akuzohen 5 persona, tre prej të cilëve me burg të përjetshëm.
 
FLORIJE KAMBERI