Botë

Kurti: Veprimi i djeshëm i Serbisë, agresion ndaj Kosovës

15.06.2023 12:34

Në orët e hershme të mëngjesit është mbledhur Këshilli i Sigurisë në Kosovës për të diskutuar rreth situatës pas kidnapimit...

Në orët e hershme të mëngjesit është mbledhur Këshilli i Sigurisë në Kosovës për të diskutuar rreth situatës pas kidnapimit të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga ana e njësiteve special të Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes tha se veprimi i së mërkurës i Serbisë ishte veprim agresor ndaj shtetit të Kosovës. Kurti tha se vendi ku ka ndodhur kidnapimi i policëve të Kosovës nga policia e Serbisë është 1.3 kilometra brenda territorit të Kosovës, duke hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se ata janë arrestuar pasi kishin kaluar në territorin e Serbisë. Ai tha se në vendin e ngjarjes, policia dhe KFOR-i kanë gjetur fakte që dëshmojnë se policët kosovarë ishin brenda territorit të Kosovës.

“Rasti i ndjeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin dhe intencë për eskalim dhe destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin pesë pikësh për de-eskalim dhe normalizim. Për këto arsye, institucionet tona të sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë. Për arsye të sigurisë si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Sveçla: Kidnapimi i policëve hakmarrje për arrestimin e Lunes
 
Kidnapimi i policëve të Kosovës është bërë në shenjë hakmarrjeje, për shkak të arrestimit të kriminelit nga veriu “Lune”, tha ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.
 
“Është e qartë se ky akt kriminal është bërë në shenjë hakmarrje pas arrestimit të kriminelit “Lune”. Ajo që është duke ndodhur është sjellja e një serbie kriminele, e cila me vite e dekada është duke vepruar njëjtë përmes akteve të tyre kriminale duke u munduar që të minojnë shtrirjen e sovranitetit tonë në territorin e Republikës së Kosovës. Për ne, e besoj edhe për gjithë botën demokratike, kjo jo vetëm që është e pa pranueshme, por është edhe një incident i rëndë.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.
 
Kurti: Ndërkombëtarët t’i dënojnë veprimet e Serbisë
 
Edhe Kurti edhe Sveçla kërkuan që faktori ndërkombëtarë ta dënojnë ashpërsisht këtë akt të Serbisë. Kryeministri Kurti tha se ka biseduar në telefon me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Duke shprehur habinë me tolerancë e faktorit ndërkombëtarë që po i bëjnë Serbisë, Kurti u bëri thirrje t’i dënojnë veprimet e Serbisë. Ai njëherit bëri të ditur se kishte kërkuar nga KFOR-i t’i dërgojë informacion, për rastin e kidnapimit të tre policëve të Kosovës, para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, por kjo nuk ka ndodhur.
 
“Ajo çfarë mua vazhdon të më habit, është fakti që as të nesërmen me këtë të vërtetë, që ne po e shpërfaqim para juve, nuk del zyrtarisht KFOR-i. Cili është kuptimi, i cili të nesërmen e një ngjarje e cila nuk ishte në mbrëmje, por në mesditë, KFOR-i ende nuk doli me shpjegim zyrtarë se ku është ky vend. Ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës.”, - u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti dhe Sveçla njëherit kërkuan lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të kidnapuar në Serbi, ndërsa theksuan se institucionet e Kosovës nuk do të zmbrapset për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës. Sa i përket qëndrimit të përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, se nuk kishte koordinim paraprak gjatë operacionit policor të 13 qershorit në Mitrovicë të Veriut, kur u arrestua Millun Millenkoviq, Kurti tha se për operacionet policore për arrestimin e kriminelëve nuk informohet as ai, pasi policia e bën punës e saj në bazë të kompetencave ligjore. 
 
GYLTENE SINANI