Kroacia mposht Holandën dhe siguron finalen
Terreni vendas nuk i ka kryer punë Holandës për të pasur sukses në Nations League....

Terreni vendas nuk i ka kryer punë Holandës për të pasur sukses në Nations League. Në gjysmëfinale "tulipanët" janë përmbysur nga Kroacia, duke u mposhtur me rezultat 4-2. Në kohën e rregullt prej nëntëdhjetë minutave ndeshja është mbyllur me rezultat të barabartë 2-2. Kështuqë kanë qenë vazhdimet ato që e kanë nxjerrë fituesin.
Pjesa e parë u ka takuar vendasve, që me golin e Malen në minutën e tridhjetë e katërt kanë shkuar në pushim me epërsi minimale. Kroatët janë kthyer dhe e kanë përmbysur rezultatin në pjesën e dytë. Kramaric (55') dhe Pasalic (72') kanë realizuar për kroatët. Me këtë rezultat edhe dukej se do të përfundonte ndeshja, por holandezët kanë barazuar në minutën e gjashtë të kohës shtesë përmes Lang.
Ndërsa në vazhdimet dy herë nga pesëmbëdhjetë minuta kroatët edhe kanë fituar ndeshjen, pasi kanë realizuar edhe dy gola, fillimisht përmes Petkovic (98') e më vonë edhe nëpërmjet Modric (116'). Tash Kroacia do të përballet me Spanjën ose Italinë në finale. Me njërën nga këto dy kombëtare do të ndeshet edhe Holanda për vendin e tretë.
