Maqedoni

Kompletimi i Këshillit të prokurorëve, opozita me kritika për kandidaten Zhupanovska

15.06.2023 15:12

Svetllana Zhupanovska, kandidate për anëtare të Këshillit të prokurorëve publik u shënjestrua me kritika të ashpra nga deputetët e VMRO-DPMNE-së...

Svetllana Zhupanovska, kandidate për anëtare të Këshillit të prokurorëve publik u shënjestrua me kritika të ashpra nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. Në seancën plenare, ata nënvizuan se Zhupanovska nuk përmbush kushtet për të qenë pjesë e Këshillit, ndërkaq vjen nga një organ i dështuar, si prokuroria speciale.
 
“Kandidatja  e nderuar, Svetllana Zhupanovska posedon një pjesë të dokumenteve, megjithatë nuk ka dokument se është juriste e shquar dhe paraprakisht nuk ka qenë as gjykatëse, gjykatëse ndërkombëtare, profesore, avokate. Kuvendi kërkon që ajo të dorëzojë dokument se është juriste e shquar dhe s’ka si ta sjellë, pasi që literatura dhe ligjet nuk njohin një nocion të tillë.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zdravko Trajanov. 
 
“Kjo paska qenë në PSP dhe në CV-në e saj për shquarsinë e saj  është nënshkruar e burgosura Katica Janeva dhe tani paramendoni  se cili jurist i shquar do të konkurronte në një trup të tillë? Po normal që askush, përpos këtyre që shërbejnë për punët e ndyra të qeverisë.”, - theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Bllagica Llasovska. 
 
Me kundërpërgjigje, deputetja Llazarevska, sipas së cilës VMRO-ja duhet të jetë vetëkritike, kur flet për efikasitetin në gjyqësor.
 
“Në kohën kur gjykatësit prekën fundin, kjo ishte në kohën e VMRO-DPMNE-së dhe kur zgjidheshin me fletore, nga këto arsye lindi nevoja e formimit të PSP-së dhe ju tani drejtoni gishtin kah disa njerëz, të cilët besonin se do të ndodhin punë të mira në gjyqësor, ndërkohë nuk jeni vetëkritik.”, - u shpreh deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska.
 
Sipas VMRO-së, si rrjedhojë e përzgjedhjeve partiake besimi në gjyqësor ka rënë në 3%, andaj gjyqësori duhet të ringritet nga e para. Paraprakisht, debati për kompletimin e Këshillit të prokurorëve publik pa arsye ishte ndërprerë në komisionin për zgjedhje dhe emërime duke mos elaboruar kandidaturat edhe të dy kandidatëve të tjerë. VMRO-ja pretendon  se me këtë cenohet procedura demokratike e përzgjedhjes së figurave të reja në gjyqësor.
 
MERAL ISMAILI