Maqedoni
Strugë, forumi dyditorë i Prespës për dialog
15.06.2023 18:25
Nën qytetin e Strugës po mbahet forumi i Prespës për Dialog, në të cilin po marrin pjesë zyrtarë të vendit rajonit dhe BE-së...

Nën qytetin e Strugës po mbahet forumi i Prespës për Dialog, në të cilin po marrin pjesë zyrtarë të vendit rajonit dhe BE-së. Perspektiva evropiane e vendit dhe rajonit por edhe zhvillimet tjera në rajon kanë qenë në fokusin e pjesmarrësve në forum.
“Nuk mund të kujtoj shumë nga kjo në Evropën Juglindore, pa marrë parasysh se sa thellë dhe larg në histori të shkojmë. A ishin shqiptarët miq me maqedonasit, serbët, malazezët, grekët? A ishin maqedonasit miq me bullgarët, grekët, serbët?? A patën serbët ndonjë mik tjetër përveç rusëve? Gjithë jetën time e kam kaluar në konflikt. Që kur mësova për veten time, ka pasur probleme dhe asnjëherë nuk ka pasur moment të mërzitshëm në këtë rajon. Tito vdiq, ndarja e Jugosllavisë nisi dhe vazhdoi për rreth 20 vjet me luftëra në Slloveni, Kroaci, Bosnje, Kosovë, Maqedoni. Si pagesat e kredisë së shtëpisë, të pafundme dhe të dhimbshme. Çështjet e hapura midis të gjitha vendeve tona mbeten si një plagë e pashërueshme dhe burim dëshpërimi, por gjithashtu një burim i mundësive për manipulim politik dhe mbajtje të fuqisë”, tha zëvendëskryeministri Artan Grubi.
“Kultura e kompromisit është ajo që e bëri BE-në procesin integrues më të suksesshëm në historinë e njerëzimit, një projekt i bazuar në dialog… Mesazhi im i dytë për politikanët është të kenë parasysh se të gjithë mund të dalin fitues përmes dialogut, i cili do të bëhet normë në Ballkan”, tha i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak.
