Botë

Kosovë, shpërthime pranë stacioneve policore në veri

16.06.2023 11:58

Derisa në forumin e Prespës për dialog flitet për perspektivën evropiane të rajonit...

Derisa në forumin e Prespës për dialog flitet për perspektivën evropiane të rajonit, gjatë natës janë dëgjuar shpërthime në afërsi të stacioneve policore në Zveçan dhe në Mitrovicën e Veriut në Republikën e Kosovës.
 
Siç ka bërë të ditur policia e Kosovës me shumë gjasa bëhet fjalë për shok-bomba, nga të cilat nuk ka të lënduar. Një veturë e policisë së Kosovës është dëmtuar. Është hapur një hetim, por ende nuk ka të dyshuar.
 
“Në intervalin kohor prej orës 23:30 deri në orën 01:30, kanë ndodhur tri shpërthime. Një ka ndodhur në rrugë gjatë patrullimit të policisë, vetura e policisë është gjuajtur me gurë dhe dyshohet se është hedhur një shok bombë. Një ka ndodhur në stacion të Policisë në Mitrovicë të Veriut, saktësisht në oborr. Dyshohet se janë hedhur dy shok bomba. Shpërthimi tjetër ka ndodhur në Zveçan, në afërsi të stacionit të policisë.”, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Veton Elshani.
 
Ndërsa, protestuesit në Leposaviq kanë tentuar sot të hyjnë me dhunë në ndërtesën e komunës, por nuk janë lejuar nga ushtarët e KFOR-it.