Botë
Reagime për kidnapimin e tre policëve kosovar, kërkohet lirimi i menjëhershëm i tyre
16.06.2023 12:22
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një reagim në Twitter...

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një reagim në Twitter ka thënë se është e paligjshme hyrja e forcave speciale të Serbisë në territorin e Kosovës dhe “lidhja e policëve si kriminelë lufte”. Zyrtarja evropiane ka thënë se në bazë të informacionit të qasshëm, zyrtarët policorë të Kosovës nuk kanë lëvizur makinat e tyre, por kanë ecur në këmbë në zonën kufitare me Serbinë.
“Edhe nëse ky operacion i nënshtrohet ligjërisht një njoftimi, është e paligjshme që të hysh në territorin e Kosovës me forcat speciale të Serbisë dhe të lidhësh zyrtarët policorë si kriminelë lufte dhe t’i dërgosh në Beograd.”, ka shkruar ajo.
Edhe Qeveria e Britanisë së Madhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që janë kidnapuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të Kosovës. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se Serbia duhet t’i lirojë pa kushte tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që janë kidnapuar nga forcat serbe. Ndërsa, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka njoftuar se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, në një takim urgjent për menaxhim të krizave.
