Botë

Marrëdhëniet NATO-Ukrainë, Aleanca shqyrton përforcimin e lidhjes

16.06.2023 14:44

Rusia dhe lidershipi i saj nuk kanë dëshirë të fillojnë negociatat e paqes dhe për këtë arsye...

Rusia dhe lidershipi i saj nuk kanë dëshirë të fillojnë negociatat e paqes dhe për këtë arsye partnerët duhet të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën duke i dërguar kombit më shumë armë, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përpara takimit ministror të mbrojtjes të NATO-s. Ai, po ashtu tha se sa më shumë terren të jetë në gjendje të fitojë Ukraina përmes kundërofensivës në vazhdim, aq më e fortë do të jetë dora e vendit në tryezën e bisedimeve.
 
“Ne nuk shohim asnjë shenjë nga presidenti Putin, nga Rusia, se ata në fakt po përgatiten për paqe. Ne gjithashtu e dimë se sa më e suksesshme të jetë kundërofensiva ukrainase, aq më shumë ka të ngjarë që presidenti Putin në një fazë të kuptojë se ai nuk mund ta fitojë këtë luftë në fushën e betejës dhe ai duhet të ulet (në tryezën e negociatave), por askush nuk mund të thotë saktësisht se kur do të ndodhë kjo dhe si.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. 
 
Gjatë këtij takimi, shumë shtete ofruan paketa të reja ndihmash për Ukrainën.
 
"Kanadaja angazhoi një paketë tjetër prej 500 milionë dollarësh për të mbështetur Ukrainën, ShBA-të, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkën dhe Holandën, të gjitha kontribuuan me fonde për raketa të mbrojtjes ajrore. Italia njoftoi këstin e saj të fundit të ndihmës. Norvegjia dhe Gjermania shpallin paketa shumëvjeçare dhe Danimarka sapo njoftoi paketën e saj prej afro 2.6 miliardë dollarësh për ndihmë ushtarake deri në vitin 2024.”, - theksoi sekretari i Mbrojtjes i ShBA-ve, Lloyd Austin. 
 
Sipas Zelenskit, Ukraina e ka vendin në BE dhe në NATO dhe koha për integrim ka ardhur.
 
“Ka një thirrje konkrete për liderët e BE-së që të përcaktojnë një rrugë të qartë për anëtarësimin e vendit tonë në BE. Për çështjen e Aleancës, Parlamenti Evropian përcakton saktësisht kuptimin e kontributit tonë ukrainas për sigurinë euroatlantike, i cili parashikon që rruga e Ukrainës është drejt NATO-s dhe një ftesë politike për anëtarësim duhet të zhvillohen në kontekstin e përgatitjeve për Samitin e Aleancës. Koha për integrim ka ardhur!”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.
 
Ndërkohë për përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-së, nuk është koha e duhur për integrimin e Ukrainës në Aleancë, pasi lufta mund të marrë përmasa globale me një lëvizje të tillë.
 
“Pranimi në NATO, i një vendi që është në luftë nuk mund të ndodhë, pasi atëherë NATO do të ishte drejtpërdrejt palë në luftë. Këtë askush nuk dëshiron ta bëjë, sepse situata mund të eskalojë. Presidenti Zelensky këtë gjë e di shumë mirë, integrimi do të bëhet sapo të vijë koha, tani duhet ta fitojmë luftën.”, - deklaroi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius. 
 
Përveç takimit ministror në Bruksel, do të mbahet edhe një takim tjetër i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në formatin Ramstein.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU