Maqedoni

Gjykata penale vendosi: S’ka amnisti për organizatorët e 27 prillit

16.06.2023 15:46

Trupi gjykues në Gjykatën Themelore Penale Shkup e refuzoi kërkesën për amnisti për rastin “Organizatorët e 27 prillit”...

Trupi gjykues në Gjykatën Themelore Penale Shkup e refuzoi kërkesën për amnisti për rastin “Organizatorët e 27 prillit”. Kërkesë për amnisti kanë paraqitur katër të akuzuarit në këtë rast, sipas ligjit të miratuar në vitin 2018: ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish-ministrat, Spiro Ristovski dhe Mile Janakieski dhe ish-drejtori i Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim, Vladimir Atanasovski. Gjatë shpalljes së vendimit për refuzimin e kërkesës, gjyqtari, Ilija Trpkov, kërkesat e reja i refuzoi si të pabazë, për shkak se nuk janë plotësuar kushtet e Ligjit për amnisti të vitit 2018.  Edhe prokurori Trajçe Pelivanov, vlerëson se këta persona nuk janë të përfshirë në dispozitat e Ligjit për amnisti dhe se në këtë fazë kur nuk ka aktgjykim, pasi që rasti është në rigjykim, nuk mund të merret vendim.

Por, mbrojta nuk e ndan mendimin e njëjtë me trupin gjykues dhe prokurorin. Avokati, Elenko Milanov, ka thënë se gjykata si duket vazhdon me aplikimin selektiv të Ligjit për amnisti.
 
“Me sa duket vazhdon trajtimi jo i barabartë i qytetarëve të Maqedonisë. Me të njëjtin ligj janë amnistuar pesë deputetë dhe në këtë rast nuk vlen për Trajko Veljanoski, i cili ishte edhe deputet  dhe ai dëshiron të trajtohet si person zyrtar. Mile Janakieskin dhe Spiro Ristovskin, në atë kohë nuk kishin kompetenca as në aspektin e sigurisë dhe as në drejtim të mbajtjes së seancave parlamentare, por edhe për këta janë selektiv dhe nuk japin mendim pozitiv.”, - deklaroi avokati, Elenko Milanov.
 
Seanca e radhës është caktuar për 6 korrik, pasi që me refuzimin e kërkesës për amnisti, mbrojtja ka mundësi të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.
 
SANIJE DURAKU