Botë
Veriu i Kosovës, stacione policore sulmohen me shok bombë
16.06.2023 15:59
Situatë e tensionuar në veri të Kosovës. Stacionet policore në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan në orët e hershme të mëngjesit janë sulmuar me katër shok bomba...

Situatë e tensionuar në veri të Kosovës. Stacionet policore në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan në orët e hershme të mëngjesit janë sulmuar me katër shok bomba. Nuk janë shkaktuar dëme materiale apo të lënduar. Policia e Kosovës ka hapur hetim, por ende nuk ka të dyshuar edhe pse shfaqin dyshimet se ato u hodhën nga një automjet, i cili ishte në lëvizje dhe është larguar menjëherë nga vendi.
Incidente kanë ndodhur edhe gjatë raportimit të ekipeve gazetareske. Një ekip i RTK-së është sulmuar në Zveçan me ç’rast është shkatërruar automjeti zyrtar i medias.
Serbët në protesta
Ndërkohë, serbët në Mitrovicën e Veriut kanë nisur protesta pas arrestimit të Milun Milenkoviq, i cili po dyshohet për organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, policisë e gazetarëve gjatë protestave të dhunshme në veri të vendit. Protestuesit po kërkojnë lirimin e tij.
Është raportuar se Milenkoviq ka qenë edhe anëtar dhe njëri ndër udhëheqësit e organizatës famëkeqe “Mbrojtja Civile”.
Kolona në pikat kufitare
Pas ndalesës që vuri Qeveria e Kosovës për hyrjen e kamionëve me produkte dhe targa serbe në Kosovë, sot asnjë kamion me mallra me origjinë nga Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës. Në vendkalimet kufitare Merdarë, Jarinjë dhe Konçul kalojnë vetëm automjete me targa të huaja.
“Trafiku me kamionët është ndalur. Tërë natën jemi këtu, nuk do ndodh asgjë as sot, po presim pasi askush nuk na thotë asgjë.”, - u shpreh një shtetas serb.
30 ditë paraburgim për tre policët e rrëmbyer
Autoritet serbe shqiptuan masën e paraburgimit për tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe me pretekstin për posedim të paligjshëm të armëve.
“Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë më 16 qershor 2023 ka lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve kundër të dyshuarve, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se kanë kryer nga një vepër penale prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve. Gjykatësi për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Kralevë ka urdhëruar paraburgimin për të gjithë të dyshuarit.”, thuhet në njoftim.
Më 14 qershor, tre zyrtarët policorë të Kosovës u kidnapuan në veri nga ana e Serbisë, një akt që ngjalli shumë reagime në Kosovë.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar një ditë më parë se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën. Ai tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti hodhi poshtë pretendimet e Serbisë, i cila tha se policët e Kosovës kishin kaluar kufirin dhe ishin futur në territor të saj. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë.”.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
MERAL ISMAILI
