Botë

Escobar për situatën Kosovë-Serbi: Ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja

16.06.2023 16:45

Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për stabilitet. Përshkallëzimi i situatës krijon kushte të vështira...

Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për stabilitet. Përshkallëzimi i situatës krijon kushte të vështira për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për këto dy shtete, tha i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai, gjithashtu u tërhoqi vëmendjen atyre që refuzojnë partneritetin me ShBA-në dhe BE-në, duke thënë se do të kenë pasoja.
 
“Po kërkojmë nga të dyja palët të ndërmarrin hapa për stabilitet. Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me ShBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja.”, - deklaroi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. 
 
Escobar shtoi se nuk është e vërtetë që ShBA-ja ka mbështetur Serbinë më shumë se Kosovën dhe se në 90 ditët e fundit, çfarëdo që ka bërë ShBA-ja, ka qenë në favor të Kosovës.
 
“Serbia nuk ka dashur që të shkojë përpara aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ne e kemi mbështetur. Serbia ka dashur që Kosova t’i anulojë zgjedhjet, por ne i kemi mbështetur, Serbia ka dashur që zgjedhjet të shpallen të paligjshme, për shkak të daljes së ulët, ne i kemi mbështetur ato, Serbia nuk ka dashur që të njihet legjitimiteti i kryetarëve të rinj, ne i kemi njohur ata. Dhe e sfidoj gjithsecilin që të gjejë diçka që ne kemi bërë, e që nuk ka shkuar në të mirë të Kosovës.”, - theksoi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. 
 
Ai e ka ritheksuar se kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, duhet të punojnë në lokacione alternative, Polica e Kosovës të tërhiqet nga ndërtesat komunale, që protestuesit të largohen nga rruga dhe përgjegjësit e dhunës së 29 majit ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet të mbajnë përgjegjësi. Sa i përket kritikës së kryeministrit Albin Kurti, se KFOR-i ka heshtur për arrestimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, Escobar ka thënë se janë në pritje të zbardhjes së plotë të rastit. Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: çtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.


FARIJE DAUTI BAKIJU