Botë
KFOR, dënon sulmet ndaj gazetarëve
17.06.2023 19:43
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR...

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve në komunat në veri të Kosovës. Gazetarë të mediumeve të ndryshme, “janë sulmuar fizikisht, në mënyrë brutale”, teksa po raportonin nga komuna e Leposaviqit.
“Liria e medias dhe liria e shprehjes janë vlera fundamentale që duhet të respektohen nga të gjithë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga dhuna e mëtejme apo nga veprimet që mund të përshkallëzojnë më shumë situatën dhe të sigurojnë që mediat të mund të bëjnë detyrën e tyre fundamentale në mënyrë të sigurt”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Edhe Jorn Rohde, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, ka reaguar ndaj sulmeve që janë kryer ndaj gazetarëve të premten në veri të kosovës. Ai ka kërkuar përgjigje për mos reagimin nga Lista Serbe në lidhje me këto sulme.
“Brutaliteti i kësaj skene është tronditës. Ku duhet të përfundojë kjo?”, deklaroi ambasadori gjerman.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka thënë se nga 26 maji deri më 16 qershor, në komunat në veri të Kosovës janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve.
