Botë

Putin, konfirmon dislokimin e armëve bërthamore

17.06.2023 20:01

Rusia ka stacionuar grupin e parë të armëve taktike bërthamore në Bjellorusi...

Rusia ka stacionuar grupin e parë të armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, ka bërë të ditur presidenti rus, Vladimir Putin. Këto armë do të përdoren vetëm nëse shteti apo territori rus kërcënohen, ka thënë Putin.
 
“Pse duhet të kërcënojmë të gjithë botën? Unë veçse kam thënë se përdorimi i masave ekstreme do të jetë i mundshëm vetëm kur shteti rus të jetë në rrezik”, ka thënë Putin.
 
Sipas presidnetit rus transferimi i kokave taktike bërthamore do të përfundojë në fund të verës.Duke iu përgjigjur pyetjeve pas fjalimit në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik në Shën Petersburg, Putin tha se ky vendim synon të paralajmërojë të gjithë “që mendojnë të na shkaktojnë humbje strategjike”.
 
Qeveria amerikane tha se nuk ka indikacione se Kremlini po planifikon të përdorë armë bërthamore për të sulmuar Ukrainën.
 
“Ne nuk shohim indikacione se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas deklaratës së Putinit.
 
Armët taktike bërthamore janë koka të vogla bërthamore që mund të përdoren në fushëbeteja apo për sulme të kufizuara. Ato janë të dizajnuara për të shkatërruara shënjestra të armikut në zona specifike, pa shkaktuar rrjedhje të mëdha radioaktive.