Maqedoni
Strategjia e re fiskale 2024-2028, Zeqiri: Probalitet shumë i vogël i realizimit
18.06.2023 18:00
Ministria e Financave së fundmi ka hartuar strategjine 2024-2028 nëpërmjet së cilës synon të vazhdojë konsolidimi fiskal...

Ministria e Financave së fundmi ka hartuar strategjine 2024-2028 nëpërmjet së cilës synon të vazhdojë konsolidimi fiskal, të ulë deficitit buxhetor, borxhin publik, të ketë rritje ekonomike, realizim më të mirë të shpenzimeve kapitale si dhe hapje të vendeve të reja te punës. Durim Zeqiri nga OEMVP thotë se këto strategji kanë probalitet shumë të vogël të realizimit.
“Praktikat në rastet e mëparshme tregojnë që institucionet në vend nuk kanë kapacitet për të realizuar projekte në tërrësi sipas planeve vjetore apo strategjive 4 vjeçare afatmesme të cilat i hartojnë dhe i promovojnë. Dëshmojnë edhe vet rezultatet e investimeve kapitale të cilat për fat të keq nuk arrijnë një përqindje të kënaqshme pos me rebalans të buxhetit duke dhënë hapsirë që të mendojmë se strategjitë e tilla janë shumë ambicioze me probalitet të realt shumë të vogël të realizimit të tyre”, u shpreh Durim Zeqiri nga OEMVP.
Sipas Zeqirit institucionet relevante gjatë përpilimit të strategjive duhet më tepër të marrin në konsideratë edhe problemet reale të kompanive dhe të jenë konzistent në politikat e tyre.
“Sa i përket disa segmenteve të cilat janë të potencuara në këtë strategji nëse i referohemi deficitit buxhetor. Kjo tregon dy gjëra ose do të ndalen investimet ose do të tatimohen qytetarët dhe në veçanti bizneset siç ishte ideja për tatimin solidar i cili ishte edhe absurd të dënohen kompanitë të cilat kanë realizuar fitim. Është shumë diskutabile pjesa e uljes së borxhit shtetëror publik apo të jashtëm. Borxhi i jashtëm duhet të shërbejë për projekte të investimeve jo për projekte sociale që është duke ndodhur viteve të fundit”, theksoi Zeqiri.
Nga Ministria e Financave presin që deficiti buxhetor prej 4.6% në vitin 2023 të arrijë nivelin prej 2.5% në vitin 2028; norma mesatare e rritjes të jetë 5% në periudhën 2024-2028, si dhe vazhdimi i rritjes së pagës mesatare të arrijë në 6%.
GAZMEND KURTISHI
