Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Xhaferi: Para nesh është edhe një sfidë
19.06.2023 14:28
Në Konferencën për Demokraci në Parlamentin suedez, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi...

Në Konferencën për Demokraci në Parlamentin suedez, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, shprehu bindjen se Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur drejt një demokracie më të fortë dhe më funksionale. Ai theksoi ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 dhe 2019, si dhe sfidat e reja që paraqesin negociatat me Bashkimin Evropian për përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë.
“Maqedonia e Veriut ndryshoi Kushtetutën e saj në vitin 2001 dhe 2019-ën. Tani përballemi edhe një herë me një sfidë, pra nevojën e ndryshimeve të reja kushtetuese të parashikuara nga korniza e negociatave me BE-në, për përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë. Shpresoj që ky obligim të kryhet në mënyrë që përfundimisht dhe konkretisht të fillojmë negociatat me Unionin Evropian.”, - deklaroi Talat Xhaferi.
Sipas tij, deputetët mund të japin një kontribut të madh në tejkalimin e sfidave që lidhen me ndarjen e pushtetit, proceset e kontrollit dhe demokratizimit të elitave politike, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, nxitjen e marrëdhënieve dhe dialogut të mirë ndëretnik dhe për zhvillimin e diplomacisë parlamentare. Xhaferi kryeson një delegacion parlamentar në Konferencën e Stokholmit, ku bëjnë pjesë deputetët Sonja Mirakovska, Remzi Mehmedi dhe Nikola Micevski.
SEDAT SELIMI
