Botë

Ftesa e Brukselit, Kurti: Varet nga gjendja e tre policëve

19.06.2023 14:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se do të shkojë në takimin e thirrur në Bruksel...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se do të shkojë në takimin e thirrur në Bruksel, vetëm pasi të marrë vesh për gjendjen e tre policëve të kidnapuar nga Policia e Serbisë. Ai njëherit ka kërkuar që tre policët të lirohen menjëherë dhe pa kushte. 
 
“Unë kam kërkuar që të takohemi qysh javën e kaluar, mirëpo thanë duhet të de-eskaloj njëherë gjendja. Në vend të de-eskalimit patëm rrëmbim të policëve tanë dhe pas këtij rrëmbimi kur gjendja eskaloi edhe më shumë thanë eja tash në takime në Bruksel, herë më 22 herë me 23 qershor. Unë iu kam thënë që do t’ju përgjigjem gjatë kësaj jave, por njëherë po pres lajmi nga ambasadori jonë Jetish Jashari se si është gjendja e tre policëve tanë të cilët duhet të lirohen menjëherë e pa kushte. Dhe njëkohësisht është e domosdoshme që faktorët ndërkombëtar ta dënojnë qartë dhe hapur agresionin e Serbisë me 14 qershor kur forcat e tyre speciale ushtarake e policore anti-terroriste dhe Kobra i rrëmbyen tre policë tanë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti: Do të vazhdoj luftimi i krimit
 
Kurti njëherit ka shtuar se korrupsioni në veri do të luftohet pa përjashtim dhe pa dallim etnie. 
 
“Ndërkohë në Kosovë duhet të vazhdojë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, sepse duhet të sjellim drejtësi për qytetarët dhe njëkohësisht duhet të mundësojë zhvillim ekonomik. Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa e ç’rrënjosur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në krim të organizuar e në korrupsion nuk janë vetëm të një etnie, mirëpo asnjë enti nuk duhet të jetë e privilegjuar, pra kriminelët janë kriminel.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, Vuçiq, për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të takohet me Kurtin, megjithëse nuk e ka përjashtuar mundësinë e udhëtimit në Bruksel, siç ka thënë ai sa për qëllime taktike. BE ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.
 
GYLTENE SINANI