Nesër fillon mësimi formal në universitete
Bojkoti i mësimit nga ana e studentëve është ndërprerë...

Nesër ata do të vijojnë mësimin formal në fakultete, por “zonat autonome” dhe plaketat e ngjitura në muret e fakulteteve do të vazhdojnë të mbeten aty, si dëshmi për luftën e studentëve për autonomi. Në përpilimin e Ligjit të ri për Arsim Sipëror do të kyçen studentët dhe profesorët.
“Qeveria lëshoi pe ndaj kërkesave tona. Ne fituam ligj të ri, i cili do të punohet me një metodologji të re, ku do të jemi të integruar edhe ne studentët. Për shkak të marrëveshjes së arritur, ne vendosëm që të ndërpritet bojkoti dhe të fillojë mësimi formal”- deklaroi Stefan Vidikov nga Plenumi Studentor.
Sipas studentëve, pas formimit të grupeve punuese studentët presin që prej 6 deri në 8 muaj të hartohet version final për propozim-tekstin e ri të ligjit.
“Na kanë premtuar se testim të jashtëm nuk do të ketë, po ashtu në grupet punuese jemi të pranishëm edhe ne edhe Plenumi i Profesorëve dhe qëndrimi ynë është se nuk do të pranojmë asnjë formë të testimit të jashtëm”- tha Ivana Tufekgjiq nga Plenumi i Studentëve.
Nga plenumi thonë se do të mbahen të gjitha ligjëratat dhe nuk do të humbet sesioni i provimeve.
“Është premtuar se studentët nuk do të humbasin asgjë sa i përket semestrit, provimeve. Këto orë do të kompensohen dhe mësimi do të përshpejtohet. Do të vazhdojmë me ligjërata interaktive, ku do të flitet për kërkesat e studentëve, të cilat pastaj do t’u kumtohen grupeve punuese. Ky është një koncept i ri i punës, ku studentët dhe profesorët do të hartojnë Ligjin për Arsim Sipëror”- tha Ivana Tufekgjiq nga Plenumi i Studentëve.
Plenumi Studentor për katërmbëdhjetë ditë rresht shpalli “zona autonome” në të gjitha fakultetet pranë UKIM-it, duke bllokuar procesin mësimor. Sipas studentëve, në universitet mungon dialogu interaktiv dhe sipas tyre, ishte kjo mënyra e veprimit ajo që qeveria të lëshojë pe ndaj kërkesave të studentëve, gjë që ndodhë për herë të parë në historinë e Maqedonisë. (Flutura Latifi, TVM2)
