Maqedoni
Ngecja në eurointegrim, ish-presidenti Cërvenkovski: Me ide e qasje të përbashkët deri tek fondet evropiane
19.06.2023 15:47
Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk duket se po bën lëvizje serioze drejt Ballkanit Perëndimor....

Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk duket se po bën lëvizje serioze drejt Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, unioni nuk ka plan të qartë konsensual se çka do të bëjë me vetveten dhe as për rajonin tonë, konstaton ish-presidenti, Branko Crvenkovski. Ndaj propozon idenë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kërkojnë nga Brukseli marrëveshje të re me të gjitha vendet e rajonit, me qëllim që të kenë qasje në tregun dhe fondet evropiane.
“Përjashtim mund të bëjë Shqipëria për të cilën u soll vendim për fillimin e negociatave. Ne i hapëm negociatat, por nuk i filluam. Siç qëndrojnë punët, vështirë është të parashikohet nëse dhe kur do të ndodhë kjo. Duhet të kemi parasysh edhe kontekstin më të gjerë dhe jo të ndiqet vetëm problemi me Bullgarinë. Faktet tregojnë se integrimet në tërë rajonin janë në vend, me lëvizje të vogël. Sipas meje, s’ka vend për më shumë optimizëm as në disa vitet e ardhshme. Varianti për t’iu ikur procedurave komplekse për anëtarë të rinj në fushën evropiane dhe ekonomike është që BE-ja të nënshkruajë marrëveshje të re me vendet e Ballkanit Perëndimor, në njëjtën kohë, me qëllim që të shfrytëzohen fondet evropiane.”, - deklaroi ish-presidenti, Branko Cërvenkovski.
Ish-ambasadori Jolevski: S’është alternativë për integrim, por ndërlidhje me Brukselin
Propozimi për akses në fondet evropiane, nuk do të shërbejë si alternativë për integrim, thotë ish-ambasadori në ShBA, Zoran Jolevski, por si ndërlidhjen me performancën evropiane.
“Kërkojmë nga kompanitë evropiane të investojnë në rajon, të realizojnë profit, megjithatë të hapen vende të reja të punës dhe benefite për qytetarët, shtetin dhe t’i përgatisin për integrim të plotë në tregun evropian.”, - theksoi ish-ambasadori, Zoran Jolevski.
Sipas mbështetësve të kësaj iniciative, mendimet e reja intelektuale vijnë për shkak të ngecjes në BE dhe ndërkohë duhet ose të presim të ndodh ndonjë mrekulli ose të angazhohemi në këtë drejtim. Mbrojtësit e idesë thonë se vendet më të vjetra anëtare ditë e më shumë përforcojnë qëndrimin që së pari të bëhen reformat në BE, e pastaj zgjerimi.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
