Zelensky: Rusia të përgatisë qytetarët e saj se do të humbë

19.06.2023 16:15

Luftime të ashpra janë duke vazhduar në Ukrainë...

Luftime të ashpra janë duke vazhduar në Ukrainë. Pas bombardimit të digës, e cila shkaktoi përmbytje në Kherson. Rusia vazhdon të granatojë pikat e karburantit në këtë qytet, duke shkaktuar shpërthime me pasoja shkatërruese.

“U dëgjua një shpërthim i madh. Sot qëlluan pompat e benzinës, ndërsa para disa ditësh granatuan digën. Ata kanë vendosur ta shkatërrojnë tërësisht qytetin.”, - tha një banore e Khersonit.

"Ato bastardë u kanë shkaktuar njerëzve këtu kaq shumë pikëllim. Nuk e dimë kur do të mbarojë kjo, prandaj nuk mund të mendojmë për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara.”, - tha një banore tjetër e Khersonit.

Ndërkohë, nga ana tjetër, ushtria ukrainase pretendon se ka rikthyer territoret e pushtuara. Një pjesë e qytetit të Zaporizhias, tashmë është çliruar. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, thotë se Rusia duhet të përgatisë qytetarët e saj se do të humbë territorin.

“Rusia jo vetëm që do të dështojë të pushtojë territore të tjera në Ukrainë, por do të humbasë atë që zotëron aktualisht dhe duhet të përgatisë qytetarët e saj. Nuk ka alternativë tjetër dhe nuk do të ketë, përveç dëbimit të trupave ruse nga Ukraina. Hap pas hapi, forcat ukrainase po vazhdojnë të çlirojnë vendin.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Zelenskit për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se udhëheqësit e NATO-s nuk do ta ftojnë Ukrainën që t’i bashkohet aleancës në samitin në Vilnius në mes të korrikut, sepse një veprim i tillë paraqet kërcënim për të gjithë botën.

“Në samitin e Vilnius dhe në përgatitjet për samitin, ne nuk po diskutojmë për të lëshuar një ftesë zyrtare për Ukrainën. Në po flasim për mënyrën se si ta afrojmë Ukrainën me NATO-n, por tani për tani një gjë e tillë është ë pamundur, sepse situata mund të eskalojë.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Vendet anëtare të NATO-së gjatë takimit ministror, donuan miliarda dollarë për Ukrainën që të vazhdojnë luftën e saj kundër Rusisë. Edhe gjatë këtij takimi, ata e potencuan se anëtarësimi Ukrainës në NATO, nuk mund të ndodhë pa dalë triumfuese Ukraina në këtë luftë. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)