Ekonomi
Fuqia punëtore në RMV, nevojitet liberalizim i tregut të punës
19.06.2023 16:44
Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që kompanitë të kërkojnë alternativa për të siguruar kuadrin e nevojshëm...

Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që kompanitë të kërkojnë alternativa për të siguruar kuadrin e nevojshëm. Njëra ndër to është edhe importi i fuqisë punëtore nga jashtë, por kuota ekzistuese prej 5 mijë punëtorëve të huaj nuk është e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat që ata kanë. Për këtë arsye, nga OEMVP kërkojnë liberalizim të tregut të punës dhe rritje të kuotës të paktën për këtë vit.
Mbi 20 mijë punëtorë është numri i cili ju nevojitet për momentin kompanive, të cilët janë më se të nevojshëm në sektorin e ndërtimtarisë dhe turizmit. Nga oda ekonomike, përveç rritjes së kuotës për punëtorë të huaj kërkojnë edhe uljen e kontributeve për paga me qëllim rritjes së pagës minimale dhe asaj mesatare.
“Një ndër fushat më kryesore që kemi konstatuar që ka më shumë kërkesë është ndërtimtaria, turizmi, por edhe prodhimi. Mos të flasim edhe për pjesën tjetër ku edhe marketet apo tregtia në përgjithësi kërkon për çdo ditë e më shumë punëtorë. Kërkesa jonë është shumë reale, jo rastësisht kërkojmë që të bëhet liberalizim i fuqisë punëtorë në rajon, por edhe mundësia e importit nga jashtë dhe të rritet kuota nga 5 deri në 10-15 mijë punëtorë.”, - deklaroi kryetari i OEMVP-së, Mendy Qyra.
Zëvendëskryeministri Bytyqi për TVM2 thotë se një prej zgjidhjeve momentale është thjeshtësimi i procedurave për sjelljen e fuqisë punëtore, ndërsa zgjidhje afatgjate duhet të kërkohet tek personat e papunë.
“Zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme ka tek njerëzit tanë të cilët janë të papunë, të cilët do të duhej të rikualifikoheshin me aftësi të reja që tregu i punës i kërkon. Është një grup i njerëzve, posaçërisht femra të cilët nuk janë aktive në tregun e punës që do të duhej të fillojmë të punojmë që t’i përfshijmë. E vërtetë është se kjo është afatmesme. Sot në moment afatshkurtër kompanive ju nevojitet fuqi punëtore, sepse për ndryshe humbin konkurrentshmërinë e tyre ndaj tregjeve regjionale dhe globale.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.
Bytyqi shtoi se në periudhën e ardhshme do të shqyrtohet kërkesa e OMVP-së për stimulim të punëtoreve për uljen e kontributeve. Ndërsa, sa i përket rritjes së pagave, Bytyqi shtoi se vitin e ardhshëm paga minimale do të arrijë rreth 23 mijë denarë dhe do të ndikojë në rritjen e pagës mesatare.
GAZMEND KURTISHI
