Maqedoni
Rezoluta e Bundestagut Gjerman, Kostovski: Opozita s’ka bërë asgjë për identitetin,
19.06.2023 17:11
Rezoluta e Bundestagut Gjerman për të ardhmen e vendit në BE “mollë sherri” për partitë maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE...

Rezoluta e Bundestagut Gjerman për të ardhmen e vendit në BE “mollë sherri” për partitë maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE. Deputeti i social demokratëve thotë se rezoluta e Bundestagut është dëshmi e politikave shtetërore të mira të cilat rezultojnë me njohjen e identitetit, gjuhës, kulturës, por nga ana tjetër konfirmojnë se Mickoski nuk ka bërë asgjë për identitetin maqedonas.
“Rezoluta e Bundestagut konfirmoi se politikat shtetërore të LSDM-së dhe kryeministrit Kovaçevski sjellin rezultate dhe sigurojnë njohjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe veçantisë maqedonase. Në anën tjetër, Rezoluta konfirmon se Mickoski dhe DPMNE nuk kanë bërë asgjë për shtetin dhe as për gjuhën dhe identitetin maqedonas. Mickoski dhe partia e tij nuk kanë lobuar në partitë e tyre simotra, të cilat votojnë kundër miratimit të kësaj rezolute të rëndësishme.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski.
VMRO-DPMNE: LSD-së s’i intereson identiteti, por tenderët
Ndërsa, nga ana tjetër VMRO–DPMNE-ja akuzon LSDM-në se për ta janë më të rëndësishëm tenderët se mbrojtja e identitetit kombëtar.
“LSD-ja në vend të ruajtjes dhe mbrojtjes se identitetit dhe gjuhës kombëtare mendon vetëm për tender, krim dhe pasurim personal. LSD e udhëhequr nga BDI, nuk duan marrëveshje dhe për këtë gënjejnë me javë dhe nuk deklarojnë se cilin nga te dyja propozimet për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe gjuhës, janë të pranueshme.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga partia e Mickoskit thonë se Kovaçevski dhe LSD-ja kanë humbur shansin historik për Maqedoninë dhe qytetarët e saj dhe vendosën të mbrojnë diktatin bullgar për ndryshimin e Kushtetutës në dëm të shtetit.
SANIJE DURAKU
